Një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin mbrëmjen e së mërkurës , ku një 33 vjeçar i identifikuar si Madrit Ulqinaku ka mbetur i vdekur, pasi ndaj tij është shtënë me armë. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit, në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”, kur i riu sapo ishte larguar nga lokali dhe i ishte drejtuar makinës së tij kur dhe është qëlluar disa herë nga 20 vjeçari Klajdi Shaholli.

Mësohet se ai ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa policia në deklaratën e bërë publike për median sqaron se bëhet fjalë për një konflikt për motive të dobëta ndërsa Ulqinaku është qëlluar nga i riu Klajdi Shaholli vetëm 20 vjec. Blutë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit. Këtë ngjarje e bën të rëndë fakti se është qëlluar me armë në një kohë kur në zonë ka pasur lëvizje të shtuar të qytetarëve në xhiron e mbrëmjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa trupi i viktimës ka qëndruar i shtrirë në tokë pranë mjetit të tij deri në ekspertizën e plotë .

Burimet thonë se viktima nuk ishte një emër problematik. Ai jetonte mes Italisë ku punonte dhe qytetit të Elbasanit ku kishte familjen. Madrid Ulqinaku ishte babai i nje vajze 8 vjece e cila ishte e diagnostikuar me autizëm. Ndërsa mësohet gjithashtu se në vitin 1997, Ulqinakut i vranë edhe vëllain.