Simone Del Vecchio, një i ri italian, ndodhet në spital prej 8 muajsh, pasi hoqi 20 dhëmbë njëherësh në një klinikë dentare në Tiranë. Nëna e tij, Anna ka rrëfyer se e gjeti djalin e saj në tokë dhe pa ndjenja, dhe kishte pësuar një arrest kardiak. Ajo tregon se i biri më 13 mars shkoi në një klinikë denatre në Tiranë, por kjo ishte fatale për të. Anna tha për gazetën italiane “Corriere della Sera” se Simone ka një imunitet të dobët dhe tashmë peshon 30 kilogramë më pak pas kalvarit që kaloi nga marsi deri më tani.
“Sot Simone nuk është më ai që ishte. Ai është kockë e lëkurë, ka humbur 30 kilogramë”, tha ajo.
Anna shoqëroi djalin e saj në Tiranë në klinikën dentare, pasi i riu italian mendonte se do të kursente 50% më pak krahasuar me të njëjtin operacion në Itali.
“Pak para operacionit ai kishte dërguar disa nga projektet e tij grafike në kompanitë kombëtare diskografike dhe ishte thirrur për intervistë nga stafi i një këngëtari të njohur. Për t’u përgatitur për takimin, ai kishte humbur peshë, kishte riparuar garderobën dhe donte dhëmbë të përsosur, sepse kishte humbur dy prej tyre”, tregon ajo.
Nëna i ishte nënshtruar një operacioni të ngjashëm disa vite më parë, po në Shqipëri.
“Kur isha atje, kisha parë disa njerëz që nuk ishin mirë pas trajtimit: pashë se kishin rënie të presionit të gjakut dhe sëmundje pa asnjë ndihmë postoperative”,tha ajo. Për këtë arsye ajo kishte kundërshtuar udhëtimin e djalit të saj, por Simone nuk e kishte dëgjuar.
“Para operacionit hëngrëm një picë, sepse askush nuk na tha se duhej bërë me stomakun bosh. Sapo mbërritëm, paguam gjysmën e shumës, 5 mijë euro. Ai hyri në sallën e operacionit dhe unë prita jashtë. Dentistët dukeshin të nervozuar, aq sa njëri prej tyre doli nga dhoma, duke hedhur dorezat e tij kirurgjikale në dysheme. Nuk pata guxim të afrohesha dhe prita që Simone të dilte”, kujton ajo.
E ëma e Simones, 37-vjeçar, tregon se kur djali doli nga salla e operimit ai ishte shumë nervoz dhe kishte dhimbje.
“U kthyem në dhomën që ofronte e njëjta klinikë, ai bëri një dush, veshi pizhamet dhe filloi të shikonte TV. Ai kishte etje dhe shkoi të merrte një shishe me ujë, ende brenda në klinikë, por nuk u kthye më. E gjeta të shtrirë në tokë, pa ndjenja, me një grup njerëzish rreth tij. Ai kishte pësuar arrestin e parë kardiak. Menjëherë donin të më bënin të besoja se Simone tashmë kishte disa probleme me zemrën. Megjithatë, ai kishte qenë gjithmonë mirë. Asnjë test nuk e kishte theksuar këtë; një ditë më parë ngjiti 11 kate me çanta pazaresh. Nga ajo ditë Simone hyri në në koma klinike deri më 1 maj”, tha ajo.
Tani Simone ndodhet në spitalin Casa Sollievo della Sofferenza në San Giovanni Rotondo në Foggia, duke pritur për një operacion të ri për një stenozë trakeale.
Për t’u kujdesur për djalin e saj, nëna ka marrë me qira një dhomë ku paguan 500 euro në muaj.
“Na thonë se janë kriza epileptike ose kriza neurovegjetative dhe se duhet të gjejnë kurën dhe terapinë e duhur”, shpjegon ajo.
Pas ndërhyrjes që zgjati deri në 18:00, Simone u sistemua në një dhomë, por pasi piu vetëm një gllënjkë ujë pësoi arrestin e tij të parë kardiak, i cili u pasua nga tre të tjerë.
Më pas ai u dërgua në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Aty iu nënshtrua një operacioni kardiak me vendosjen e stentit koronar pasi nga analizat e bëra kishte dalë edhe një patologji e lindur, përkatësisht stenoza koronare. Ai kaloi tetë ditë në terapi intensive në Tiranë dhe më 21 mars e çuam me ambulancë në Poliklinikën e Barit në reanimacion.
Simone ra në koma të shkaktuar nga mjekimet e marra për më shumë se një muaj deri më 1 maj kur filloi të shfaqte disa shenja shërimi, por kishte probleme me kujtesën.
Në fillim të qershorit ai u transferua në departamentin e sëmundjeve infektive për shkak të një infeksioni bakterial ngjitës, Candida auris, i cili e vonoi edhe më shumë shërimin e tij, pasi nuk mundi t’i nënshtrohej rehabilitimit. Këtu ai qëndroi deri më 27 shtator, ditën në të cilën u dërgua në San Giovanni Rotondo. Simone ishte një djalë vital, me shumë miq, i pëlqente të dilte dhe të shijonte jetën, por sot ai pret t’i nënshtrohet një operacioni tjetër. Ndërsa familja ka nisur procedurat ligjore për vënien para përgjegjësisë të klinikës dentare në Shqipëri.