Nga lista e 12 lejeve të reja të ndërtimit, pesë prej trye janë ndërtime mbi 20 kate.

Dy prej tyre janë projektuar në zonën e Bulevardit të Ri, në zbatim të zgjatimit të bulevardit aktual të kryeqytetit, ndërsa tre të tjerat janë përcaktuar poshtë digës së Liqenit Artificial, përballë Partisë Socialiste ne qendër të qytetit dhe në zonën e 21 Dhjetorit. Ajo që bie në sy është se përfitues të këtyre lejeve janë njerëz me lidhje të forta, drejtpërdrejt ose tërthorazi me Qeverinë.

Mes tyre është Sadri Abazi dhe kompania e tij, Usluga, që do të ndërtojë qendrën e kongreseve dhe godinë hotelerie 25 dhe 26 kate në zonën e Bulevardit të Ri. Lidhjet e Sadri Abazit me Qeverinë janë botërisht të ditura. Si ish-deputet socialist, kompania e tij ka përfituar vitet e fundit tendera dhe leje ndërtimi në zonat më të lakmuara të kryeqytetit.

Një tjetër kullë do të mbijë përballë godinës së Partisë Socialiste, aty ku sot është selia qendrore e Bankës Kombëtare Tregtare. Lejen e ka marrë kompania Bami SHPK, e përfolur vitet e fundit për lidhjet e tërthorta me Qeverinë përmes biznesmenëve të tjerë, që dyshohet se fshihen pas saj.

Bami do të ndërtojë kullë 54 kate në rrugën Ibrahim Rugova, pranë Gjykatës së Lartë. Në këtë projekt është përfshirë përmes kompanive dytësore edhe vetë Banka Kombëtare Tregtare si pronare e truallit dhe që lidhjet me Qeverinë shqiptare është përfolur ndër vite se i kanë përmes Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.

Kulla e tretë do të ndërtohet në rrugën Kristo Luarasi, pranë digës së Liqenit Artificial. Subjekti përfitues është ‘Green Living Company’, pa asnjë përvojë në fushën e ndërtimit. Aksionerë të kompanisë, që për vitin 2022 deklaron humbje prej 5 milionë lekësh janë Natasha Xhai dhe Orion Cenalla. Ky ndërtim do të jetë strukturë shërbimi, hoteleri dhe banimi 2-6 kate dhe 40 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë. Më herët kompania ka patur emrin “Globus Invest” me ortakë të tjerë dhe me lidhje me ish-ministrin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Arben Ahmetaj.

Kulla e katërt do të ndërtohet në zonën e Bulevardit të ri. Një projekt me 52 kate në total, ajo do të zhvillohet nga dy kompani anonime. E para, ‘Smart Construction Invest’ është themeluar vetëm në vitin 2021 me aksioner të vetëm shtetasin Redi Struga. Për vitin 2022, kompania deklaron të ardhura 28 milionë lekë dhe 100 mijë lekë kapital, shumëfish më pak se kosto e kullës që do të ndërtojë.

Kompania e dytë që do të marrë pjesë në këtë projekt është Progreen me pronar të shumicës së aksioneve dhe administrator shtetasin Genc Kuçuku. E themeluar në vitin 2008, në 2010 ajo ndryshoi statusin nga aktiv në shoqëri në likuidim e sipër. Procesin e likuidimit e njofton më 31 mars të këtij viti. Zyrtarisht, përveç kapitalit prej 100 mijë lekësh kjo kompani rezulton me zero asete të tjera në QKB.

Leja e pestë është pranë zonës së 21 Dhjetorit dhe bëhet fjalë për një kompleks godinash me 20, 27, 34 dhe 41 kate. Në këtë kullë projekti do të realizohet nga dy kompani, njëra është “Develalb Construction”, me aksionerë Ilir dhe Kujtim Shtufin dhe shoqëria tjetër është “Edonil Konstruksion” sh.p.k, me administrator Ismail Meçon.

Nga të dhënat e QKB, kompania “Develalb Construction” ka të njëjtët aksionerë me “Nova Construksion’, Ilir dhe Kujtim Shtufin. Ilir Shtufi është një emër i lakuar nga socialistët për lidhje me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. “Nova ConstruksioN” ndërkohë ka nisur punën për ndërtimin e ‘Mount of Tirana’ pas Pallatit të Kulturës.

E përbashkëta tjetër është se Enea Baçi, administrator i Nova Construction, do të jetë edhe administratori i kompanisë së re që do të ndërtojë kompleksin e kullave te 21 Dhjetori.