Ilir Beqaj është prej kohësh nën hetim për koncesionin e sterilizimit dhe prej mesit të nëntorit të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme antikorrupsion ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë detyrim paraqitjeje çdo të premte në orën 15:30 minuta.

Megjithatë, hetimi i thelluar pasuror ndaj ish-ministrit, që pasoi me vendimin për kontrolle në banesën e tij, nuk nisi vetëm për koncesionin e sterilizimit, por edhe nën dyshimet e abuzimeve me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që Beqaj e drejtoi që nga themelimi i saj në vitin 2021 deri kur dha dorëheqjen pasi iu komunikua masa e detyrimit të paraqitjes.

Për të nisur një hetim të thelluar pasuror për Ilir Beqajn, familjarët dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij, Voxneës.al mëson se ka pasur një ndërhyrje të drejtpërdrejt dhe këmbëngulëse nga ana e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Ky i fundit, fashikullin e hetimit pasuror nuk ja ka ngarkuar prokurorit Edvin Kondilli, që ka në dorë dosjen e sterilizimit, por ja ka besuar prokurores së Posaçme, Dorina Bejko. Kjo lëvizje e Dumanit, tërthorazi shpreh simbolikisht një pakënaqësi të mundshme të kreut të SPAK në lidhje me cilësinë e hetimeve të Kondillit në rastin e dosjes së sterilizimit.

Me kërkesë të prokurores Bejko, Gjykata e Posaçme ka miratuar vendimin për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve për disa zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Po kështu kontrolle janë kryer edhe në ambientet dhe zyrat e disa kompanive farmaceutike dhe restorante, që dyshohen si të lidhura me ish-ministrin e Shëndetësisë.

Në skemën e dyshuar korruptive figuron e përfshirë edhe kompania “Albanian Food and Hospitality Lab”, emri tregtar i së cilës është restorant “Gzona” në Kalanë e Tiranës. Në këtë biznes ka qenë me herët aksionere bashkëshortja e tij Adriana Beqaj.

Kompania është themeluar më 23 janar të vitit 2019-të, ku gjysmat e aksioneve në emër të shtetasit Arti Malaj dhe gjysmat e tjera në emër të bashkëshortes së Ilir Beqajt, Adriana Beqaj. Përmes dy transaksioneve të dyshimta, Adriana Beqaj i kalon të gjithë aksionet e saj shtetasit Arti Malaj. Pa u mbushur dy muaj nga themelimi, më 1 mars të 2019-s, ajo i kalon 35 për qind të aksioneve dhe një vit më vonë, më 3 mars 2020, edhe pjesën e mbetur prej 15 për qind të tyre.

Nga pastrimi i parave, tek rrjeti i farmacive dhe restoranteve/ Si nisi hetimi i

Më 13 shtator 2022, Arti Malaj ja kalon të gjitha aksionet shtetasit Eduard Curraj, ndërsa ekstrakti historik i kompanisë tregon edhe lëvizje të administratorëve. Por, SPAK thotë se ka provuar që të gjitha lëvizjet në aksione dhe administrim të kompanisë janë fiktive, pasi de fakto ajo është kontrolluar që nga fillimi prej Ilir Beqajt përmes personave të tjerë si Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Madje, për shumë dreka e darka me delegacione të huaj, agjencia që drejtonte Ilir Beqaj ka kryer disa pagesa në këtë restorant.

Nga përgjimet e SPAK rezulton se administratori de fakto i restorant “Gzona” ishte pikërsisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në te Agjencia. SPAK ka kapur Ilir Beqajn duke komunikuar me sekserin e tij Ermal Kurtulaj përmes telefonit të shtetasit, Arben Dani, i cili është shoferi i ish-ministrit.

Në kuadër të këtij hetimi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të Policisë Gjyqësore kanë kontrolluar zyrat dhe kanë marrë qindra dokumente për procedura të ndryshme të agjencisë së drejtuar nga Beqaj, kanë marrë në pyetje disa punonjës si dhe kanë sekuestruar celularë e kompjutera të ndryshëm.