Duke nisur nga sot, kartat e identitetit (ID) dhe pasaportat biometrike të shqiptarëve do të prodhohen nga kompania e re shtetërore “IdentiTek”, ndërsa kontrata me ALEAT përfundoi më 31 korrik, 15 vite nga nënshkrimi i saj dhe nuk u rinovua më.
Në të pikat e Postës Shqiptare ka nisur shpërndarja për kuponët e rinj me logon “IdentiTek”. Sa i takon aplikimit për pasaportë, ka vetëm kuponë me vlerën 7500 lekë dhe ende nuk kanë dalë kuponët për pasaportat e shpejta 2 ose 3 ditore. Ato do të vihen në dispozicion duke nisur nga nesër.
Me ndërrimin e dy kompanive nuk do të ketë ndryshime të çmimeve për t’u pajisur me një ID të re apo me një pasaporte biometrike. Për një pasaportë me një afat standard prodhimi 15 ditor duhet të paguajnë 7.500 lekë, ndërsa në një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18.000 lekë, derisa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1.500 lekë.
Logon zyrtare të kompanisë “IdentiTek” ka simbolin e shqiponjës, por të integruar në një chip elektronik, një shëmbëlltyrë e vetë misionit të kompanisë.
Drejtuese e “IdentiTek” do të jetë Loina Prifti, e cila prej vitesh ka jetuar dhe punuar në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja deri më tani ka punuar në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe është marrë me inteligjencën artificiale.