Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur krerët e degëve të Tiranës, ndërsa u shpreh se shqiptarët kanë shumë arsye, që më 6 dhjetor, ora 12:00, të dalin në shesh. Ai theksoi se PD-ja do bëjë gjithçka për të mbajtur gjallë parlametarizmin.
“Ne nuk do bojkotomë parlamentin, ne do të thërrasim edhe popullin, Shqipëria duhet të ketë parlamentarizmin. Ai shkelmon kushtetutën. Është Edi Rama që e bën parlamentin kështu. Ne na fton që ne duhet të bëjmë gjithçka për një sukses të jashtëzakonshëm me datën 6. Duhet të jemi në shesh, motivet i keni më të forta se asnjëherë tjetër. Mos të harrojmë, dy herë u bëmë popull gomonesh”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje krerëve të degëve të PD-së të organizojnë çdo gjë që protesta e 6 dhjetorit të jetë madhështore. Sipas Berishës, kjo protestë në thelb ngjason me atë të studentëve të dhjetorit të viteve 1990, kohë kur ata brohorisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
“Këtu drejtësi nuk ka. Atëherë duhet të flasë populli,të flasë sovrani dhe ne do t’i frymëzojmë dhe udhëheqim qytetarët. Në thelb, kjo protestë është absolutisht në një farë mënyre, është e ngjashme me protestën e studentëve të dhjetorit. Një thirrje shpirtërore për ta pasur këtë vend një vend evropian. Kjo është në thelb shpirti i kësaj proteste. Ne do të dëgjohemi sigurisht. Mobilizimi për organizimin e saj të jetë në shkallën më të madhe”, tha ai.