Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli shkurt përmes një njoftimi zyra e shtypit të socialistëve.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e grupit vlerësuan punën e bërë deri më tani në komisione, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet për javët e ardhshme. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua te shqyrtimi i rendit të ditës për seancën plenare te radhes”, thuhej mes të tjerash në njoftimin propagadistik që nuk thotë asgjë.

E vërteta është se mbledhja e sotme në fakt ishte një “gjyq” për Elisa Spiropalin.

Revanshi i Belinda Ballukut

Në krye të goditjes së saj në sy të gjithë deputetëve ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku. Me tone të ashpra ajo fshikulloi Spiropalin për keqmenaxhimin e seancës plenare të javës së shkuar ku u shkaktua kaos pasi mazhoranca futi me shpejtësi projektligjin për faljen e gjobave.

Balluku akuzoi Spiropalin se po favorizonte opozitën duke iu dhënë hapësirë të pamerituar dhe në shkelje të rregullores sipas zv.kryeministres.

Jo vetëm kaq, por Balluku shkoi edhe më tej duke aluduar se kryetarja e parlamentit është nën një presion prej Gazment Bardhit, i cili i dikton edhe sjelljen në seancë plenare.

Balluku ngriti insinuata që Spiropali po shantazhohet nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kujtojmë këtu që Gazment Bardhi i ka përmendur shpesh Pëllumb Gjokën, kryetares së parlamentit Elisa Spiropali.

E ka pyetur publikisht disa herë se çfarë dhurate ka marrë ajo nga Pëllumb Gjoka.

Nuk dihet nëse Belinda Balluku ka pasur në mendje pikërisht këto akuza të Bardhit teksa fshikullonte Elisa Spiropalin.

Por numri dy i qeverisë nuk ishte e vetme në këto kritika.

Sulmin e Ballukut e pasojnë të tjerë

Menjëherë si për t’i rënë në sy asaj e për t’i treguar devotshmëri dhe besnikëri, u rreshtuan Taulant Balla, Erion Braçe dhe Blendi Klosi.

Gati me të njëjtën gjuhë edhe ata shpërfaqën pakënaqësitë e tyre ndaj Elisa Spiropalit.

Pati edhe qëndrime disi më të zbutura si ai i kryetarit të Grupit të PS, Niko Peleshit apo Mimi Kodhelit.

I gjithë “gjyqi” u zhvillua pa praninë e vetë Elisa Spiropalit, e cila mungonte në mbledhjen e sotme të Grupit të PS.

Mbase kishte zgjedhur vetë të mungonte duke e ditur se çfarë po gatuhej në prapaskenë.

Asgjë nuk ndodh pa bekimin e Ramës

Fshikullimi i sotëm që Balluku i bëri Spiropalit në sy të të gjithë grupit të PS-së nuk është një axhendë personale, aq më tepër duke e ditur që ajo është e vetmja në radhët e socialistëve që e ka lartësuar aq shumë Edi Ramën duke i thënë Skënderbe.

Sulmi nuk mund të bëhej asnjëherë pa bekimin e kryeministrit që mungonte gjithashtu në mbledhjen e grupit.

Askush nuk është i luajtur mendsh në PS sa që të ngrejë krye kundër Kryetares së Kuvendit në sy të të gjithë grupit parlamentar pa pasur më parë dakordësinë e Edi Ramës.

Këtë nuk do ta guxonte as Belinda Balluku e jo më pastaj personazhe periferike si Erion Braçe apo Taulant Balla.

Gjithçka duket e orkestruar prej vetë “Skënderbeut” kundër “Mamicës” së tij. Arsyet mbeten ende të paqarta./Lapsi