Kanë nisur homazhet në nderim të ish-presidentit të Republikës Bujar Nishani.

I pari në ceremoni mortore ishte Presidenti aktual i vendit Ilir Meta i shoqëruar nga vajza e tij Bora Meta. E pranishme dhe ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli e cila përqafoi bashkëshorten e Nishanit, duke i dhënë kurajo për dhimbjen e madhe.

Qeveria e Shqipërisë vendosi që 2 qershori të jetë ditë zie kombëtare, në nderim Nishanit, i cili u nda nga jeta më 28 maj në Gjermani.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ceremonia ka nisur në orën 10:00 dhe përfundon në ora 12:00 ditën e sotme.

Dje Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes).