Mira, një telefonuese në “Aldo Morning Show” në Tv Klan tregon se është gjyshe, që sigurisht si shumë të tjera i ka përkëdhelur shumë nipërit e mbesat. Me shumë sinqeritet, Mira thotë se kjo jo pak herë ka shkaktuar probleme në familje dhe e quan veten “mollë sherri”.
Madje bëhet aq kritikuese ndaj vetes sa mendon se ndonjëherë dashuria e tepërt do i dëmtonte fëmijët, në qoftë se Mira nuk do të kishte ndryshuar qasjen e saj.
Mira: Kam nipër e mbesa si gjithë të tjerët. Vetë nuk i kam rritur, të them se kam qenë në punë dhe në momentin që vija nga puna, atë që nusja e kishte ndërtuar gjithë ditën, e shkatërroja e bëhej një mollë sherri pastaj…
Aldo: Po pse motra? Pse kështu?
Mira: Po se ajo i kishte edukuar shumë mirë, mua një veprim që bënte ai më dukej “eh moj se s’bëri gjë edhe ju, s’duroni fare”.
Aldo: E ça i bëje ti pastaj?
Mira: Domethënë është një dashuri… nuk po them se nuk i duam, ne i duam jashtë mase, ama ishim mollë sherri, ne ishim.
Aldo: Si u zgjidh pastaj?
Mira: U zgjidh pastaj se ndryshova unë një çikë formën e dashurisë.
Megi Latifi: Mua më pëlqen sinqeriteti yt.
Aldo: Kjo që po bën ti tani është një lloj autokritike.
Mira: Unë i kam mbesat të mëdha nga 20 e ca vjeçe tani xhanëm. Kur i merrte djali në Itali, thoshte “Mira, dua dy muaj t’i bie në terezi fëmijët, nuk e di se ça i bën”.
Aldo: Po ça i bëje ti?
Mira: Po ça s’i bëja. Edhe po ta thyenin, zihesha edhe me burrin tim. “Ti je shkatërrimi i shtëpisë, Mira”. E ja kështu. Domethënë ishte një dashuri, që ndoshta ne nuk e kuptojmë, por vetëm dashuri s’ishte.
Aldo: Nejse, mos e gjyko veten kaq ashpër se ti nuk e bëje nga e keqja.
Mira: Jo, por më shumë i prishja.
Aldo: Ata u rritën tani apo jo?
Mira: Ata janë nga 20 vjeç tani, mezi të marrin në telefon xhanëm.