Na ishte njëherë një vajzë e re, e cila nisi të shprehte botën e saj në art nëpërmjet këngës. E kishte në gjak! Si e bija e aktores së njohur, Yllka Mujo, edhe Elia e shihte skenën si destinacionin e saj. Në Shqipëri shënoi historinë si grupi i parë i vajzave duke sjellë risinë me “Spirit Voice”. Zë shpirti që e çoi drejt teatrit dhe filmit. Teksa ndodhej në Paris, Elia e re takoi princin e saj. Kësaj herë vërtetë. Takoi Lekën e II, pasardhësin e mbreti Zogu I, i cili nëse historia e Shqipërisë do të kishte shkuar krejt ndryshe, sot do të drejtonte vendin. Detaj shumë i rëndësishëm ku për zhvillimin e historisë!
Shumë shpejt, Elia u bë Hirushja jonë, duke i fituar zemrat e të gjithë artdashësve me rolet e saj.

Dasma e tyre madhështore mori vëmendjen e botës, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri, mbretër e mbretëresha. Deri atëkohë “PR” më i mirë që iu bë vendit. Shumë shpejt, nga dashuria e tyre erdhi në jetë një vogëlushe…princesha Geraldinë. E arritur në karrierë, e dashuruar dhe tashmë nënë. Elia e kishtë gëzimin në sy dhe nuk e fshihte. Madje Lekën e cilësonte “princin e saj të kaltër”.

“Princi im i kaltër, të uroj gëzuar ditëlindjen. Qofsh i lumtur dhe jetofsh gjatë dashuria ime, shoku im i ngushtë, babi më i mirë në botë. Edhe pse nuk e them shpesh, i jam falënderuese Zotit që të solli në jetën time, që po rritemi bashkë, që kemi njëri-tjetrin mbështetje në çdo rrethanë. Të dua shumë, të kam ngrohtësi në zemër. Edhe 100 plot dashuri,”-shkruante ajo.

Por nuk e dinte që 2 vite më vonë, asgjë nuk do të ishte më e njëjta. Krejt papritur, ajo e pa veten në portale e media. Aludohej për një ndarje. Edhe pse u pyet, ajo nuk foli kurrë, ndërsa Princ Leka pa zyrtarizuar divorcin prezantoi publikun me dashurinë e tij të re. Haptazi doli dorë për dore me fotografen Blerta Celibashin. Kur mediat “vlonin” nga fotot që u kapnin fshehurazi, Princi njoftoi divorcin me një njoftim zyrtar në emër të Oborrit Mbretëror.

Princ Leka deklaron publikisht se martesa ka marrë fund dhe se të dyja palët kanë rënë dakord ta zgjidhin atë në gjykatë.

“Përshëndetje miq dhe dashamirës, Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës së tyre t’i jepet fund. Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka Il beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të perbëjne bazën e marrëdhënies n vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë!!! “-thuhej në njoftimin zyrtar.

Pas tij, versionin e saj të historisë e dha Elia. Fokusi i saj ishte i tëri tek e bija.

“Më duhet t’ju komunikoj që sot filluam procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi vendosëm bashkarisht të kërkojmë zyrtarizimin e divorcit! Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur! Ju falenderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajo! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”

Megjithatë mediat panë edhe shumë detaje të tjera. Sigurisht që të imponuara nga njëra palë. Erion Teli, ish-shefi për Marrëdhëniet me Publikun në Oborrin Mbretëror foli në një intervistë për “Canapé” rreth divorcit të bujshëm. Sipas tij, faj për ndarjen kishte Elia dhe karriera e saj që e pengonte nga takimet protokollare. Protokollare të kujt? Të një vendi pa monarki? Të një Republike Parlamentare? Në këtë rast, Elia u portretizua si gruaja që rendte pas karrierës dhe nuk interesohej për detyrat ndaj kombit.

“Unë besoj, ky është opinioni im personal, nuk mund të them gjë zyrtare, është opinioni im personal që karriera e zonjës Zaharia ka qenë një moment që ka sjellë mungesën e saj në detyrat që ka pasur si ish-Princesha shqiptare. Karriera e saj si aktore dhe të gjithë kemi qenë pranë oborrit mbretëror kemi shpresuar që të kemi një Grace tjetër, një princeshë Grace që ka qenë e Monakos, pati një bum në karrierën e saj artistike, ajo vendosi që të mbante rolin që tashmë kishte si Princesha e Monakos. Zonja Elia Zaharia për një moment, mund të ketë shumë arsye, duke e njohur personalisht është shpirt i lirë, nuk mund ta akuzoj për asgjë. Është njeri artist në kuptimin e plotë të fjalës, bija e një artisteje të madhe shqiptare që është Yllka Mujo, ndoshta ky ka qenë, besoj, fillimi i çarjes së tyre. Zonja Zaharia siç thashë, është një shpirt i lirë, është shumë zor si artiste që të jetojë në ato katrorë që do një anëtar i familjes mbretërore. Kjo e ka bërë që ajo të mungojë shpesh në takime protokollare, jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë Shqipërisë, presioni shtohet nga të gjitha krahët. Unë besoj shumë, nuk mund të konfirmoj, nuk mund të them asgjë zyrtarisht, është opinioni im personal që ka qenë krisja e tyre në martesë, pastaj kuptohet, gjërat kanë filluar të rëndohen me kalimin e kohës,”- tha Teli.

Por ‘sqaroi’ edhe hallin e të gjithë shqiptarëve duke u shprehur hapur se divorci nuk do ta privonte Elia Zaharian nga trashëgimia pronësore e Familjes Zogu, duke e siguruar publikisht se do të merrte pjesën e saj. Për këtë pasuri, me gjasa ndodhi edhe përplasja e djeshme. Një dollap i boshatisur shqetësoi Princin kur shkoi që të takonte të bijën.

“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten. Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.”

Këtu, Princi, një mashkull i shëndetëshëm, 42 vjeç pretendon se u dhunua dhe u intimidua nga një i moshuar.

“Unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”

Veçse në dëshminë e tij ka një problem. Si hyn Elia? Pamjet e xhiruara nga vetë ai me telefon tregojnë një Elia të tmerruar nga skena që kishte parë. Në video shihet teksa Elia Zaharia dhunon Princ Lekën duke e akuzuar se i ka rrahur babanë. Ajo hedh një sërë akuzash, teksa Princ Leka filmon.

“Ke prekur me dorë babin tim që të ka mbajtur me bukë. I ke gjuajtur babit që është 70 vjeç. I ke gjuajtur babit tim, do të çoj në gjyq ty mos bëj viktimën. Të rrahësh ti babain tim. Ti s’ke shkoll, ke vetëm katër klasë shkollë. Ti ke falsifikuar provat, i ke thënë shtetit shqiptar që je i shkolluar,”-dëgjohet të thotë Elia.

Nga ana tjetër edhe Elia nuk ka heshtur, por ka rrëfyer se në një moment ka parë vetëm që Princ Leka po dhunonte të atin 73-vjeçar. Mirëpo skadali i dhunës nuk u ndal vetëm me kaq! Në nerva e sipër, teksa e qëllonte, Elia vendosi që t’i nxirrte dhe sekretet Princit. Për herë të parë zbuluam se sipas saj, ai ka falsifikuar diplomat duke mashtruar shtetin shqiptar. Shumë akuzë e rëndë kur merr parasysh faktin që ai mund të ishte kreu i shtetit shqiptar, lideri i të gjithëve. Mbreti i të gjithë shqiptarëve. Por fati nuk e donte që të ishte, e ligji mund ta përballë me një tjetër akuzë për të cilën do të japë llogari.
Si detyrim për detyrën që mbajnë të dy vullnetarisht, Elia doli dhe foli publikisht në media.

“Është situatë shumë e vështirë për mua dhe familjen time, pasi nuk është e lehtë të kthehem në shtëpi dhe të gjej Lekën që përpiqet të dhunojë babanë tim 73-vjeçar. Konflikti nuk ka të bëjë absolutisht me mua, përveç se u përpoqa ta ndaloj! Për çdo gjë po ndjek rrugën gjyqësore”, tha Elia Zaharia.

Ndërsa Leka II, përmes Oborrit Mbretëror dha versionin e tij, duke evidentuar dhe një rast shumë të rëndësishëm. Kush e nxorri videon? Vetë Princi pretendon se nuk e ka bërë ai, e në fakt do të ishte e tepër lincimi që do mund ti bënte nënës së fëmijës së tij. Në reagimin e Oborrit thuhet se Princ Leka ështe sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot jane dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu. Më tej, hidhen akuza ndaj Komisariatit të policisë për publikimin e pamjeve, të cilat duhet të mbaheshin sekret. Oborri ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për fshirjen e imazheve të publikuara.

Për këtë akuzë, nuk kishte asnjë reagim nga Policia e Shtetit. Në orën 20.06, ZËRI kërkoi një përgjigje zyrtare, të cilën e mori publikisht 1 orë më vonë nga uniformat blu.

“Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se: Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë.”

Sido të ketë qenë situata mes tyre, në rast se qëndron pretendimi i Princit, Leka i ka çuar pamjet për prova dhe Policia nuk ka asnjë të drejtë që t’i nxjerrë në media. Për asnjë arsye! Sepse në këtë rast kanë lënë gjurmë në histori, e jo vetëm atë shqiptare. Ato pamje nesër do t’i shohë edhe Geraldina, e vetmja e pafajshme, e vetmja viktimë e kësaj historie. Posti i Princeshës nuk e mbajti larg dramës të të gjitha familjeve me konflikte të ngjashme.

Në fund të fundit, i takoi të ishte pjesë e një përralle pa një fund të lumtur. Kësaj here, nuk mund të themi…Princi u dashurua me vajzën e zakontë dhe të dy, jetuan të lumtur përgjithmonë! Ndoshta kjo është përralla e kohërave moderne.