Ka një thënie që përdoret shpesh në ushtri: “Kontrollo orën 6”.

Në thelb, kjo do të thotë: mos harro që të shikosh prapa. Fillimisht, kjo thënie vjen nga ideja e një piloti që kontrollon pozicionin e orës gjashtë, direkt prapa një aeroplani ose bombarduesi.

Por, nuk është nevoja që ju të jeni një veteran për ta mësuar këtë rregull. Në fakt, për njerëzit me inteligjencë të lartë emocionale, kjo frazë do të thotë diçka më shumë.

Do të thotë që të përdorësh gjashtë elemente kyçe të komunikimit për t’u siguruar që të mos lejoni emocionet tuaja që të ndërhyjnë në mënyrë të panevojshme në atë që doni të arrini.

1. Kontrolloni gjuhën tuaj

Ky është elementi i parë dhe më i lehtë për t’u mësuar. E thënë shkurt, nëse e gjeni veten duke përdorur fraza si këto kur filloni të jepni ndonjë argument, ndaloni menjëherë:

• “Nuk është edhe aq e vështirë që…” (Duke sugjeruar që kushdo që po përballet me një problem të ndërlikuar duhet thjesht të përdorë zgjidhjen tuaj.)

• “A nuk mundesh thjesht që…” (Duke sugjeruar që problemi me të cilin po përballet personi tjetër nuk është aspak ndonjë gjë e madhe, nëse ai ose ajo do të bënte vetëm atë që dëshironi ju.)

• “Shiko, e kuptoj që…” (Dhe pas kësaj fraze, njerëzit në përgjithësi përmbledhin një pjesë të vogël të pozicionit ku ndodhet personi tjetër, kryesisht pjesët që do të ishin më të lehta për t’u hedhur poshtë.)

Secila prej këtyre frazave nënkupton një nga këto dy gjëra: ose që të duket sikur pozicioni juaj është pozicioni i vetëm i arsyeshëm, ose për të rritur vetëvlerësimin tuaj ndërkohë që ulni personin tjetër.

Kjo është arsyeja pse njerëzit me inteligjencë emocionale nuk i përdorin këto fraza.

2. Kontrolloni orientimin që merrni gjatë diskutimit

Kjo është më e lehtë për t’u identifikuar në retrospektivë sesa në momentin që ndodh, kështu që mund të kërkojë praktikë. Me pak fjalë, kontrolloni nëse jeni duke rënë në gracka si këto:

• Përdorimi i frazave të tilla si “oh, kjo më kujton…” për të nisur me disa histori që nuk kanë lidhje fare me thelbin e bisedës.

• “Konkursi i vetes tuaj”, ku në vend që t’i përgjigjeni problemit ose pikave që shtron një person tjetër, ju filloni të ndani anekdota që janë të ngjashme, por akoma më të mëdha se të personit tjetër.

• Kur e vendosni veten tuaj në qendër të vëmendjes, ndërkohë që qëllimi juaj duhet të jetë të mësoni për dëshirat dhe nevojat e bashkëbiseduesit.

Filozofikisht, kjo ka të bëjë me marrjen në konsideratë të drejtimit se ku dëshironi që ta çoni bisedën, si dhe me faktin nëse struktura juaj e bisedës mund t’ju dërgojë atje ku dëshironi.

3. Kontrolloni qëllimin tuaj

Këtu është një kurth në të cilin njerëzit bien gjithmonë: të kapeni emocionalisht pas një qëllimi strategjik, deri në atë pikë sa të humbisni orientimin nga objektivi juaj i përgjithshëm.
Shembuj:

• Një kompani përpiqet shumë që t’i shesë një produkt të caktuar një lloji të caktuar klienti, por duket se do ta ketë të vështirë këtë.

Kështu, fillon dekurajimi. Por a është qëllimi përfundimtar që të shitet ky produkt? Apo ndoshta është më mirë që të gjeni një mundësi tjetër që do të ishte më e mirë?

• Një student dëshiron të marrë një nivel të lartë edukimi dhe të nisë një karrierë të shkëlqyer.

Por, ata nuk pranohen në universitetin që kanë zgjedhur të parin. Sigurisht, kjo është di?ka zhgënjyese, por në planin afatgjatë, a duhet të lejoni që refuzimi t’ju pengojë për të gjetur mënyra të tjera për të arritur karrierën që dëshironi?

4. Kontrolloni mënyrën e “shpëtimit”

Jo mënyrën tuaj të shpëtimit. Atë të personit tjetër.

Me pak fjalë, njerëzit me inteligjencë emocionale e kuptojnë që duhet të gjejnë disa mënyra që njerëzit e tjerë të mos turpërohen, kur ju jeni duke u përpjekur që t’i bindni për diçka.

• Lërini ata që të dakordësohen me ju, edhe nëse kjo është e vështirë: “Më duhet ta pranoj, kjo nuk është një ide edhe aq e keqe.”

• Ose, nga ana tjetër, edhe nëse tregon frustrim: “Po të më lini të flas, këtë do të sugjeroja edhe unë!”

• Ose ndryshe, thjesht për të mos i bërë ata të ndihen të turpëruar. “Shpresoj që ju ta kuptoni se u desh shumë guxim dhe punë e vështirë që ne të provonim fillimisht këtë mënyrë tjetër veprimi, pavarësisht se në fund ajo nuk funksionoi.”

Ideja është që t’i jepni mundësinë personit tjetër që të tërhiqet nga argumenti i tij ose t’i afrohet mënyrës suaj të të menduarit, duke i dhënë gjithashtu një rrugë shpëtimi emocional, në mënyrë që ata të bien dakord pa u ndjerë të mposhtur në debat.

5. Kontrolloni përshtypjen që jepni

Mos e harroni thënien e vjetër: “Nuk ju vjen kurrë një mundësi e dytë për të lënë përshtypjen e parë”.

Kjo është e vërtetë, por është gjithashtu e vërtetë që kur jeni duke thënë një argument të rëndësishëm, ju po krijoni gjithashtu edhe disa përshtypje dytësore.

Ka kaq shumë gjëra që ndikojnë në gjasat që emocionet të ndërhyjnë në atë që po përpiqeni të arrini: toni i zërit tuaj, koha kur zgjidhni për ta bërë bisedën, vendi ku zgjidhni ta zhvilloni atë.

6. Kontrolloni veten

Kjo është pika e fundit, ku ju duhet të kontrolloni që të mos thoni më shumë sesa duhet thënë.

• Kuptoni fuqinë e heshtjes në një bisedë. (Njerëz të tjerë shpesh do të nxitojnë për të mbushur hapësirat e heshtjes.)

• Kuptoni detyrimin për të dëgjuar dikë deri në fund. (Përndryshe, si mund të pretendoni vërtet se po përpiqeni ta kuptoni atë?)

• Dhe kuptoni aftësinë për të marrë përgjigjen “po”. (Kur fitoni një argument, duhet të dini si të ndaloni debatin.)/INC/monitor/