Kombëtarja shqiptare arriti për herë të dytë në histori kualifikimin në një kampionat Europian pas barazimit të marrë me Moldavinë në transfertë. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj notat dhe vlerësimet e futbollistëve kuqezinj që u aktivizuan në duelin e mbrëmjes së kaluar.

shqiperia

BERISHA 9 – Fenomenal. Pritje, personalitet, qetësi dhe mbi të gjitha sa shumë besim. Kur të gjithë nisën të “lëkundeshin”, i vetmi që mbajti presionin ishte ai. Dhe i frymëzoi të gjithë.

HYSAJ 7 – Luajti thjesht në mbrojtje. Nuk bëri asnjë gjë të jashtëzakonshme, por as edhe ndonjë gabim. U mjaftua të limitonte sulmet e rivalëve në atë krah dhe ia doli.

ISMAJLI 7.5 – E kishte lojën nën kontroll edhe nga mbrapa shpine. Luajti mirë në tokë, por ka mangësi, megjithëse shtatlartë, në duelet në ajër. Gjithsesi, ai jep shumë siguri me forcën dhe zgjuarsinë që ka.

GJIMSHITI 7.5 – I njëjti argument si me Ismajlin në planin taktik dhe atë të mangësive në ajër. Duhet t’i flasë më shumë skuadrës kur presioni shtohet.

MITAJ 7.5 – I vëmendshëm si gjithmonë. I zgjuar dhe racional. Vallëzon me topin dhe i demoralizon rivalët hera-herës.

RAMADANI 8 – Rul në mesfushë. Shkel çdo cep, përplaset, ndërton aksione, vertikalizon, u bërtet rivalëve, u bërtet shokëve. Oh, çfarë luani aty para mbrojtjes!

ASLLANI 8 – Mbron, ndërton, ndërron krahun me një thjeshtësi dhe ka vizion. Ndoshta i mungon pak guximi për të tentuar diçka më shumë drejt portës, ose ndoshta nuk ka dashur të “tradhtojë” Silvinjon me porositë që i kishte lënë. Gjeometër.

BAJRAMI 7.5 – Punuan së bashku me Asanin mjaft mirë nënisjen e aksioneve, por nuk u panë shumë para portës për asistin përfundimtar. Dukej paksa i lodhur. U mundua të bënte 2-3 veprime individuale, por pa sukses. (Nga minuta e 80-të, Gjasula- Përpiqet të ngrejë murin dhe moralin e skuadrës në një moment delikat, por ndoshta duhej më herët. Bëri atë që di të bëjë më mirë, të mbrojë dhe të vertikalizojë, por Shqipëria e kishte humbur busullën në sulm).

ASANI 7.5 – Këtë herë luajti pa top. Asnjë nuk e kupton këtë, por duhet thënë se ai lojtar tërhoqi dy mbrojtës gjithnjë në mbulimin që i bëhej. Vetëm në këtë aspekt ai ka kryer shumë mirë detyrat. Ai duhet të kuptojë një gjë tani: i ka dalë nami dhe nuk e tolerojnë më. Do të jetë gjithmonë me mbulim të dyfishtë. (Nga min 90+2′ Muja – Pa notë. Hyn vetëm për të fituar sekonda).

CIKALLESHI 8 – Ai nuk është vetëm lojtar, por edhe luftëtar. Shënoi golin që i dha qetësi ekipit duke mos falur nga pika e penalltisë, por sa shumë ndihmon në mbrojtje. Sa shumë sakrifikon.
(Nga minuta 62′ Daku 7 – E njëjta dëshirë, i njëjti objektiv, por këtë herë nuk bën dot mrekullinë, pra ta dërgojë topin sërish në rrjetë. Për aq minuta sa luajti, e justifikoi besimin).

SEFERI 8 – Siguron penalltinë me një vetëbesim të admirueshëm aty në zonë. Lum ai mbrojtës dhe mesfushor që luan në krahun e tij duke e pasur shok në ekip. Sulmon mirë dhe mbron po kaq mirë.

TRAJNERI SILVINJO 9 – Një notë më shumë, sepse erdhi për një mision dhe e përmbushi atë. Skuadra e tij e nis shkëlqyeshëm, vuan disi në pjesën e dytë, por merr atë që i duhej. “Obrigado mister”!