Nuk do lëmë asnjë mashkull gjallë”, ky ishte betimi që familjarët e Agim Hoxhës bënë në vitin 2012, kur ai u vra dhe trupi iu dogj në Britaninë e Madhe.
Autori i krimit, Arben Lleshi u ekzekutua sot brenda burgut të Peqinit, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai u qëllua tre herë me pistoletë nga Sokol Mjacaj, por dyshohet se ky i fundit është pajtuar për kryerjen e vrasjes nga persona të tretë.
Në fakt, Arben Lleshi është i fundit në rradhë, nga fisi Lleshi, të ekzekutuar dhe zhdukur pa gjurmë ndër vite.
Pas vrasjes së familjarit të tyre në 2012-ën, dyshohet se fisi Hoxha është betuar “për të mos lënë asnjë mashkull gjallë” nga familja Lleshi.
Në vitin 2013 u vra në pritë në vendin e quajtur “Pujkë” xhaxhai i Arben Lleshit, Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u vra para derës së shtëpisë Hajredin Lleshi.
Ndërkohë, po nga i njëjti trung familjar në vitin 2017 është rrëmbyer në Kamëz dhe zhdukur Artan Lleshi.
Në vitin 2020, dyshohet se 21 vjeçari Klevis Lleshi është rrëmbyer në qytetin e Burrelit. Eshtrat e tij u gjetën pas afro tre vitesh në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Në asnjë nga këto vrasje policia nuk ka mundur të gjejë autor pasi ato kanë qenë të tipit mafioz dhe nuk janë lënë gjurmë në vendin e krimit.
Për çdo vrasje janë marrë në pyetje anëtarët e familjes Hoxha nga fshati Shqefën i Macukullit, por kanë mohuar që të kenë dorë, ndërsa policia nuk ka mundur dot të ngrejë akuzë ndaj tyre.
Për varsjet me armë zjarri autorët kanë zhdukur gjurmët në mjete, ku në vitin 2013 dyshohet se mjeti me të cilin u krye vrasja në vendin e quajtur “Pujkë” është hedhur në liqenin e Shkopetit, ndërsa ajo e vitit 2016 është djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes.