Shefqet Kastrati, i njohur shkurtimisht si Çeti, është ndër biznesmenët më të fuqishëm të Shqipërisë. Lidhja e tij me Edi Ramën, i ka dhënë shumë hapësirë manovruese në tregun shqiptar.
Fuqia e tij është e madhe, aq sa Çeti tashmë ka filluar të ndërtojë brenda kulla (banesa të larta) edhe në parkun e madh të Tiranës.
Por, gati e gjithë skena mediale e politike në Shqipëri është e heshtur karshi ndërtimeve të z.Çetit në afërsi të liqenit të Tiranës.
Madje, jo vetëm në këtë rast, por edhe në manipulimet me naftën, mediet në Shqipëri vështirë raportojnë për dallaveret e Shefqet Kastratit, i cili është ndër baronët kryesor të naftës në shtetin shqiptar.
Projekti që po “masakron” Tiranën
Ka qenë i vetmi, gazetari Ermal Mulosmani, një kritik i vazhdueshëm i Qeverisë Rama, që ka shkruar një status në Facebook, e ku ka denoncuar ndërtimet e larta që po i kryen Kastrati mu në mes të Tiranës.
Në fakt, Mulosmani është ndër gazetarët e paktë që kanë shkruar një fjalë kundër projektit të madh të sipërmarrësit të pasur shqiptar.
“Korrupsion oligarkiko-qeveritar” e “masakër” i ka quajtur gazetari shqiptar kullat që po vazhdon t’i ndërtojë biznesmeni Kastrati.
Madje, ai ka sfiduar opozitën për të reaguar, duke thënë se cilado opozitë që denoncon këtë “masakër” urbanistike, do ta votojë.
“Ajo opozitë që del te parku i Liqenit, pas Sheratonit, dhe denoncon korrupsionin oligarkiko-qeveritar të kullave të Çet Kastratit, brenda mushkërive të qytetit, vetëm ajo, ka votën time.
Të tjerët konfirmohen si të kapur nga Qeveria ose Oligarkët.
Ky është test jo të përkrahësh një shërbëtor servil që dje ishte me pushtetin me shpresën se sot do të bëhet me ty. Edhe për mediat gjithashtu. Ajo që denoncon masakrën e Kastratit brenda Parkut të Madh të Tiranës mbron interesat e publikut.
Të tjerat janë pallavra.”, shkroi Emral Mulosmani në profilin e tij në Facebook.
Në fotografinë e publikuar nga Mulsomani, duket se ndërtimet e Çetit tashmë kanë marrë formë, e duket se janë afër përfundimit.
E ndërtimet janë shumë afër stadiumit kombëtar “Air Albania”, e fatkeqësisht afër liqenit të Tiranës!