Partia Demokratike e Sali Berishës ka depozituar ditën e sotme në SPAK një kallëzim penal për biznesmenin Pëllumb Salillari dhe kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari ku akuzohen për manipulim të procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 Majit.
Ka qenë deputetja Albana Vokshi, e cila e ka depozituar padinë në SPAK dhe në një prononcim për mediat tha se i dorëzoi prokurorëve të gjitha provat dhe faktet për çështjen në fjalë.
“Dhashë të gjitha faktet, provat, fotot, videot dhe një pjesë do ta dërgoj edhe me shkresë zyrtare në lidhje me këta dy shtetas, të cilët përgjatë fushatës zgjedhore – kryetari i Bashkisë Kuçovë jo vetëm ka përdorur postin e tij, por edhe duke pasur një lidhje korruptive, klienteliste me biznesmenin Pëllumb Salillari. Kanë shfrytëzuar edhe paratë e buxhetit, burimet financiare dhe burimet njerëzore të Bashkisë Kuçovë për përfitime elektorale”, deklaroi Vokshi për gazetarët.
Ajo bëri me dije se kallëzimi është bërë për disa vepra penale: Shpërdorimi i detyrës, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, kanosje dhe dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
“Ky pra është një rast i pastër që dëshmon se paratë e korrupsionit dhe lidhja e qeverisë me oligarkët është përdorur për blerë votat, për të blerë zgjedhjet e 14 majit. Dëshmohet sesi partia shtet ka abuzuar me paratë e shqiptarëve, me të gjitha burimet shtetërore për të fituar zgjedhjet e 14 Majit. Ka disa video, ka disa prova, që vërtetojnë faktin është shtruar asfalt elektoral në disa rrugë dhe pa projekt, pa leje nga bashkia, pa tabela informimi, pa asnjë standard. Kanë qenë banorët e Kuçovës që kanë ndalur makineritë e kompanive që po shtronin dhe kanë ndaluar dhe punët, sepse ishin pa standarde dhe pa leje”, tha Vokshi.
Po ashtu, shtoi ajo, ka raste të tjera ku evidentohet projekte abuzive që janë dhënë me shumëfish të kostos reale të tyre, në abuzim të parave të buxhetit të Bashkisë Kuçovë për përfitime elektorale.
Gjithashtu, u shpreh Vokshi, ka video dhe prova konkrete ku shpërndahen thasët me ndihma derë më derë nga punonjësit e bashkisë Kuçovë.
Në lidhje me këtë padi, ka reaguar në rrjetet sociale edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës Lefter Maliqi.
“Pellumb Hajdari dhe pengu i tij Kreshnik Salillari zyrtarisht në SPAK për të disatën herë.Mirënjohje për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe Kryetarin e saj Profesor Doktor Sali Berisha! I jam Mirënjohës dhe çdo banori në Kuçovë të cilët kanë votuar dhe atyre që kanë luftuar me mua krah për krah kundër sistemit të korruptuar dhe milionave të oligarkisë. Për mua dhe për çdo qytetar të Kuçovës, veprimi i Partisë Demokratike për të kallzuar në SPAK oligarkun Pëllumb Salillari dhe ‘veglën’ e tij Kreshnik Hajdari dhe çdo kriminel që mbështeste dyshen e mësipërme, është vlerësim dhe një përpjekje për t’i dhënë Kuçovës atë që meriton. Mirënjohje! E drejta triumfoftë për të gjithë!Ska kthim prapa”shkruan Maliqi.