
ONE Albania shkel ligjin me të dyja këmbët, nuk lëshon kuponin tatimor: I gjithë sistemi i shkatërruar, abonentët pa sinjal prej javësh
Fotografia e mësipërme është një copë letër bakalli e dhënë nga një dyqan i kompanisë celulare “ONE Albania”. Përpos skandaleve të ditëve të fundit që i ka denoncuar Newsbomb.al, tashmë kompania në fjalë nuk lëshon as kupon tatimor për shkak të dështimit të sistemeve të saj.

Siç shihet, një qytetar që ka bërë një rimbushje prej 200 lekësh ditët e fundit, në vend të kuponit tatimor ka marrë këtë letër, e cila është me vulën e dyqanit të “ONE Albania” që e ka lëshuar.
Për të garantuar të drejtën e denoncuesit për të mbetur anonim, numri dhe të dhënat e datës në këtë faturë të lëshuar me dorë janë censuruar, por viti jo, për të vërtetuar se ajo është lëshuar ditët e fundit.
Dy kompanitë që kaluan në pronësi të 4iG International, One Albania dhe Albtelekom, kishin lajmëruar qytetarët se më datë 1 Prill 2023 do të bashkoheshin dhe të gjithë abonentët që ishin pjesë e Albtelekom, do të kalonin automatikisht në ONE Albania.
Siç ka raportuar ditët e fundit Newsbomb.al, ky proces ka dështuar dhe abonentët kanë mbetur pa shërbim për orë të tëra. I ashtuquajturi “proces i unifikimit” nuk është realizuar për shkak të problemeve që nuk janë përballuar dot nga sistemi operativ indian “BOSS”.
Róbert Budafoki, drejtues i 4iG International, kompania e re e telefonisë që ka marrë në pronësi ONE Albania dhe Albtelekom, është shkarkuar nga posti pak ditë më parë. I emëruar në qershor 2022, Budafoki është shkarkuar pas dështimeve që kanë lënë pa shërbim mijëra abonentë.
Cfare eshte kuponi tatimor?
Kuponi tatimor është dokument i lëshuar me anë të pajisjeve fiskale apo të pajisjeve të tjera elektronike. Sipas nenit 54 të ligjit Nr.781, datë 14.11.2007, është detyrim ligjor që, personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë… /NB