Gazetarja Klodiana Lala foli për operacionin e SPAK ku u lëshuan 21 urdhër arreste, ku mes tyre janë dhe ish-funksionarë të drejtësisë. Lala tha për emisionin “Open” se ky hetim ka nisur pas zbërthimit të Sky ECC dhe të dhënat janë ofruar nga autoritetet belge. Ajo tha se nuk janë arrestuar ende disa emra, por po bashkëpunohet me autoritetet e huaja.

“Është shpallur në kërkim me një masë të re sigurie Suel Çela, i cili nuk është arrestuar. Mëngjesin e sotëm është kryer kontroll në bazat e tij dhe në tregun ushqimor. Janë shpallur në kërkim edhe disa anëtarë të grupit të tij, njëri dyshohet se është larguar para pak ditësh drejt Dubait. Një tjetër emër është Marsel alias Bujar Shega, është arrestuar në Milano dhe më pas do të bëhet procedura për ekstradimin. Konsiderohet si truri financiar i organizatës. Shumë nga emrat nuk janë arrestuar, po bashkëpunohet me autoritetet belge, spanjolle, madje edhe me autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bujar Shega ka një lidhje krushqie me ish-deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi. Ai është i përfshirë jo vetëm në çështjen e trafikut të drogës, por edhe pastrimit të parave. Ai ka dy kompani, ndërsa ka qenë ish-ortak me Zihni Demon, babain e Kryebashkiakut të Beratit. Kemi Detan Gjonin një ish-funksionar, për të cilin ka 2 masa sigurie, dhe bashkë me këtë të sotme i bëhen 3 masa sigurie. Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu është arrestuar, ishte në arrest shtëpie në kuadër të një tjetër operacioni. Çdo anëtar i grupit kriminal ka dyshime për vepra të ndryshme penale. SPAK deri në momentin që ne flasim nuk na ka bërë me dije se cilat janë të dhënat, dyshimet e arsyeshme, që ka ndaj dy kolegëve. SPAK duhet të dëshmojë se cila është lidhja konkrete e gazetarëve me këtë organizatë”, tha Lala. /gazetajone