Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka ngritur zërin në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve duke ju drejtuar mazhorancës si përgjegjëse për procesin anormal të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës.
Mediu theksoi se Parlamenti ka treguar një mungesë të thellë serioziteti në këtë proces dhe opozita u përça me praktikën e një marrëveshjeje për të cilën si përfundim nuk do pyetet dhe se në 3 raundet u abuzua.
Mediu: Do u drejtohesha kolegëve që të mos abuzojmë me kohën e njëri tjetrit dhe të trajtojmë çështjet me seriozitet. Ky parlament ka treguar qartësisht mungesë të thellë serioziteti në trajtimin e procesit për zgjedhjen e presidentit. Kemi detyrimin kushtetues të gjenim konsensus, u abuzua në këto 3 raunde.
Mazhorancës i them se ju e arritët të përçanit opozitën, dhe sot është në këtë stad. Ne nuk e kuptuam vetë se duhet të ishim të unifikuar në qëndrim, jemi në një pozicion terësisht absurd, sepse ju vini e diskutoni për një datë ku opozita është e panevojshme në proces. Unë kam vite në politikë dhe po mësoj praktika të reja, kërkojnë marrëveshje dhe përjashtojnë njeri tjetrin apo vendosin kush do negociojë. Kishim 3 rrugë, të uleshim e të bënim propozimet.
Opozita ka një detyrim për të ndërtuar raportin me opinionin publik, opozita ka njerëz dinjitozë për të qenë president brenda apo jashtë politikës. Duheshin dy kandidatë për ti vënë përballë PS, në mënyrë që mos të zgjidhet një president sa për të kaluar radhën.
Të nderuar kolegë, më vjen keq që ky proces u kthye në anormal dhe diskutim pa bazë dhe më duhet të them fjalët e Fugës për këtë konkluzion: Opozita u bë kashtë e koqe!