Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla, i konsideruar si një nga krerët e një grupi kriminal në Vlorë.
Pjesë nga dokumentari:
Ata e kishin marrë me kohë vendimin për ta vrarë. Por ndoshta kjo ishte për ta koha më e mirë për t’i dhënë fund në mënyrën e duhur. Ndaj për këtë qëllim, kishin marrë të gjithë masat e duhura, për ta zënë në pritë, duke thirrur në armë, edhe një vrasës me pagesë.
Por Inez Hajrulla i njohur me nofkën ‘Sakati’ dhe miku i tij Ervis Matodashaj, i thirrur si ‘Qorri’ nuk ishin edhe aq të panjohur mbi rreziqet që u kanoseshin. Madje ata e dinin shumë mirë, se vënia këmbë në qytet, pa u kujdesur, do të ishte për ta një eliminimi i sigurt. Ashtu siç në fakt ‘Sakatit’ i kishte ndodhur edhe më herët, kur ishin përpjekur ta vrisnin nëpërmjet një shpërthimi të telekomanduar, që e la të gjymtuar për gjithë jetën.
Por, si u zbulua atentati, grupi i porositësve dhe i ushtarëve që ishin paguar për të ndjekur dhe vrarë Inez Hajrrulla, në muajin gusht të vitit 2023? Dhe cilat ishin meritë e thella që organizatorët e vrasjes kishin me këtë personazh, që duket se pas eliminimit të një tjetër lideri të krimit në qytetin e Vlorës, në këtë rast Edison Harizaj, të njohur me nofkën Edison Faqedjeguri, duket se kishte marrë frenat e botës së ligësive në këtë qytet, duke i hyrë pse jo në hise, personazheve të tjerë në këtë qytet, që kërkonin të kapnin lojërat e fatit.
Gjithçka sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ duket se nis pas arrestimit të një shtetasi nga Shkodra, i cili në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar kishte zbritur në qytetin e Vlorës, ku ishte parë shpesh të qarkullonte në zonën e frekuentuar nga bosi i ri, frekuentim që duket se i kishte rënë në sy edhe ushtarëve të tij. Ky vrasës me pagesë ishte Amarildo Nikolli (Xhanej), i cili më datë 7 gusht 2023, u arrestua pranë zonës së njohur si ‘Uji i Ftohtë’ në Vlorë, me një silenciator me vete, me një plumb në gojën e armës, gati për qitje. 35-vjeçari që me vete mbante edhe një çantë shpine, ku në brendësi iu gjetën një sasi municioni, kapuç dhe doreza, nga ku u zbulua se ai ishte aty për të vrarë Inez Hajrullan.
“Nga aktet e përcjella nga Prokuroria Vlorë, ka rezultuar se më datë 7 Gusht 2023, në orën 12:47, në lagjen ‘Uji Ftohtë’, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik të kryer shtetasit Amarildo Nikolli nga shërbimet e policisë të Sektorit ‘Fast Albania’, i janë gjetur në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës ‘Pietro Beretta’, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Gjatë kontrollit të banesës me qira që ky shtetas kishte marrë në qytetin e Vlorës në afërsi të shkollës “1 Maji”, u gjendën po kështu një palë dorashka plastike me mbishkrimin ‘Kedman’”, sqaronte policia.
Por kush ishin njerëzit që fshiheshin pas Nikollit dhe cila ishte lidhja e tij me njërin prej tyre, konsideruar si personi kyç që kërkonte eliminimin e Hajrulla? Dhe cila ishte përplasja e tij e vjetër me atë që njihej si bosi i ri i qytetit; inat i mbartur në kohë që ishte kthyer për të në nevojë të domosdoshme për ta eliminuar. Sipas rrëfimeve dhe dekriptimit të bisedave midis anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, të gjetura edhe në telefonin e Amarildo Nikollit, atij që ishte paguar për të hequr qafe Inez Hajrulla, personi kyç që po investohej për të mbyllur hesapet me të, del se është Leonard Luzi, banues në Vlorë, i njohur me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’.
“Në lidhje me atentatin e dështuar ndaj shtetasit Inez Hajrulla, procedimi penal është regjistruar në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi dyshimet për një grup të strukturuar kriminal në përbërje të të cilit janë shtetas më banim në Vlorë dhe Tiranë. Të cilët kryenin vrasje me motiv hakmarrje, për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në përbërje të këtij grupi dyshohet se është edhe shtetasi Leonard Luzi banues në Vlorë, i njohur ndryshe me pseudonimin ‘Nard Çami’ ose ‘Daku’”, sqaronte Prokuroria.
Por Leonard Luzi që mban edhe mbiemrin Zejno dhe Amarildo Nikolli, nuk ishin koka dhe pjesëtari i vetëm i grupit kriminal që ishte vënë në ndjekje për të vrarë Inez Hajrulla. Hetimet zbuluan se bashkë me ta ishin edhe dy persona të tjerë, që kishin rol aktiv në survejimin e shënjestrës dhe mbledhjen e informacionit të nevojshëm, për lëvizjet e tij si edhe kohën kur duhet të godisnin. Këta persona ishin Muharrem Koroveshi dhe Erjon Zejno. Edhe pse në fillim Amarildo Nikolli, nuk pranoi të fliste për grupin hetues, ai shpejt u thye, duke treguar jo vetëm arsyen e ardhjes së tij në qytetin e Vlorës, por edhe bashkëpunëtorët e tij në vrasjen e bujshme që ata kishin menduar të realizonin në qytet.
“Gjatë marrjes në pyetje fillimisht shtetasi Amarildo Nikolli (Xhanej) refuzoi të jepte shpjegime. Por në vijim, ai pranoi të bashkëpunojë dhe të tregojë me detaje, se ishte kontraktuar nga Leonard Luzi, për të kryer vrasjen e dy personave në qytetin e Vlorës. Konkretisht të Inez Hajrulla me nofkën ‘Sakati’ dhe Ervis Matodashaj me nofkën ‘Qorri’, dhe se për të kryer këtë vrasje është ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, thuhet në dosjen hetimore.
Po përse Leonard Luzi kërkonte me kaq ngulm të vriste sidomos Inez Hajrulla? Dhe a ishte ai në të vërtetë financuesi i ekzekutimit, apo dikush tjetër e kishte ndërmjetësuar duke ditur dhe shfrytëzuar hakmarrjen e tij të vjetër me Hajrullan, me qëllim eliminimin e tij. Dhe si ishte njohur ai me Amarildo Nikollin? Ky i fundit tregonte hap pas hapi, të gjithë dinamikën se si ishte rekrutuar, por edhe detaje interesante për grupin hetues, për të kuptuar se si funksionon një grup kriminal dhe cili është organizimi i tyre nga baza deri në majën e piramidës. Por edhe pagesat se sa vlen një vrasje e niveleve të tilla, që përcakton edhe rëndësinë e kokës që duhet hequr nga trupi. Si në këtë rast kur valixhja me para për kokën e Hajrulla dhe Matodashaj, ishte e mjaftueshëm e majme.
“Amarildo Nikolli ka deklaruar se me Leonard Luzin janë njohur në burg në Itali. Ky shtetas i ka dhënë porosinë Nikollit, për vrasjen e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, kundrejt pagesës 250 000 euro për secilin. Për kryerjen e këtyre vrasjeve Amarildo Nikolli do të ndihmohej nga dy lidhjet e Leonard Luzit, shtetasit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi”, ka dëshmuar ai.
Por interesant në rrëfimin e Nikollit, është njeriu i veshur me mister, që jeton në Dubai, i cili kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’. Por cili është ky personazh, dhe cila ishte pengesa që i kishte krijuar Hajrulla dhe pse ai kishte gjetur Leonard Luzin, për ta quajtur të mbyllur këtë punë.
“Nga hetimet rezulton se financimi për vrasjen e Inez Hajrulla do të kryhej nga një shtetas nga Vlora me qëndrim në Dubai. Arsyeja për vrasjen e këtyre shtetasve, ka qenë marrja e kontrollit të lojërave të fatit si dhe për hakmarrje, pasi i kishin vrarë nipin”, thuhet në dosjen hetimore.
Pra, siç shikohet Inez Hajrulla ishte futur dhe po zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, treg i cili kishte rënë ndesh me interesat e konkurrentëve të tij. Por edhe me disa ngjarje të mëhershme kriminale, ku ai del se ishte i përfshirë ose ku rivalët e tij mendonin se ai kishte gisht. Po për t’iu rikthyer edhe njëherë personit të Amarildo Nikollit dhe vërtetuar se sa të besueshme ishin thëniet e tij kundrejt personave të tjerë të përfshirë në planin për ekzekutimin e Inez Hajrulla dhe mikut të tij Ervis Matodashaj, grupit hetues iu desh fillimisht të merrte disa konfirmime që lidheshin me armën e krimit por edhe me gjurmët e tij të gishtërinjve.
“Në lidhje me armën e sekuestruar tip ‘Beretta’, ajo del se është një nga shumë armët e vjedhura në një dyqan armësh në Maqedoninë e Veriut, më datë 22 Nëntor 2017, në këtë shtet. Po kështu nga kthimi i përgjigjes së Interpol Roma konfirmohet se gjurmët e gishtërinjve i përkasin shtetasit të regjistruar në Itali, Amarildo Nikolli (Xhanej) i datëlindjes 23 Shkurt 1988”, thuhet në dosje.
Por si u rekrutua Amarildo Nikolli nga Shkodra për të eliminuar Inez Hajrullan, i njohur me nofkën “Sakati”?
Sipas grupit hetues dhe rrëfimeve të vetë Amarildo Nikollit, ishte pikërisht jeta në Itali dhe aktiviteti kriminal që ai kishte ushtruar në këtë vend, që e kishin vendosur të riun në udhëkryq. Por edhe në kushtet e mbijetesës pas daljes nga privimi i gjatë i lirisë, ku ishte dënuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ku kthimi në Shqipëri në fillim të vitit 2023 me bashkëshorten e kishte gjetur pa të ardhura. Dhe për pasojë në nevojën për para. Momenti kur në ndihmë ai thërret kujtesën dhe mikun e tij të kohës së burgjeve në Itali, që nuk ishte askush tjetër, përveçse Leonard Luzi.
“Unë kam banuar me qira, në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë. Në këtë banesë unë kam jetuar me shtetasen Xh. N, nga janari deri në muajin maj të vitit 2023, dhe më pas jam larguar në Spanjë. Para se të kthehesha në Shqipëri, unë kam jetuar në Itali nga viti 2003 deri në vitin 2022. Ku edhe kam kryer 9 vite burg për shpërndarje të lëndëve narkotike. Për shkak të gjendjes ekonomike, pasi isha pa punë, dhe nuk kisha asnjë mjet tjetër jetese, unë kërkova të hyj në kontakt me shtetasin Leonard Zejno, të cilin e kisha njohur gjatë kohës së qëndrimit në burg në Prato të Italisë, ku Leonardi vuante dënimin për tentativë vrasje”, dëshmon Amarildo Nikolli.
Dhe duket se Leonardi iu përgjigj thirrjes për punë të mikut të vjetër. Por Amarildo thotë se nuk e dinte që ai që dikur ishte bashkëvuajtësi i tij, do t’i jepte një punë me më shumë leverdi se çfarë ai kishte menduar… Një vrasje të dyfishtë për të cilat ai do të paguhej shumë mirë dhe do të mbyllte njëkohësisht shumë probleme ekonomike
“Kur ishim në burg, Leonardi më tregoi se në Shqipëri i kishin vrarë vëllain dhe nipin. Por për shkak se ne na transferuan në një burg tjetër, unë i humba lidhjet me të. Kur erdha nga Spanja, Nardi më kontaktoi dhe më la një takim te një lokal në Tiranë. Ai erdhi i vetëm aty dhe gjatë bisedës unë i kërkova ndihmë, gjithmonë me mendimin për shitje lëndësh narkotike, por Leonardi më tha nëse mund të kryeja një punë tjetër me më shumë lekë. Kjo punë ishte të ndiqja një person në Vlorë dhe ta vrisja. Ai më tha se objektivat do të ishin dy persona, të njohur me nofkën ‘Sakati’ dhe ‘Qorri’. Nardi më tha se të gjithë punët do t’i bëja vetë dhe pas realizimit të vrasjes, do të largohesha me ndihmën e dy personave”, thotë Nikolli.
Gjatë dëshmisë së tij, Amarildo Nikolli rrëfeu se Nardi, i dha edhe karakteristikat e dy personave që do të qëllonte. Ku për njërin prej tyre ‘Qorrin’ kishte mundur të siguronte edhe një foto të shkëputur nga kamerat e sigurisë së një lokali në qytet. “Gjatë njërës prej bisedave, Nardi më dha edhe një foto të personit me nofkën ‘Qorri’, që për nga cilësia ishte e dobët, pasi ishte marrë nga kamerat e sigurisë së një lokali. Nardi më tha se mund ta dallosh kollaj, pasi ‘Qorri’ i ka sytë si ‘pingpong’, ndërsa ‘Ini’ kishte njërën këmbë të këputur. Nardi më tha po kështu se arsyeja që po kërkonte me kaq ngulm vrasjen e këtyre dy njerëzve ishte për biznes dhe hasmëri. Ndërsa pagesa do të jepej nga një person që ishte në Dubai, por që emrin nuk ma tha. Por që duke vrarë këta dy persona ata do merrnin në kontroll Vlorën dhe njëkohësisht bastet dhe gjobëvënien”, thotë Nikolli.