Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Pilur ku një efektiv policie ka mbetur i plagosur rëndë pasi ndërhyri për të shuar një konflikt mes dy personave.

Ai u godit me thikë në qafë nga një prej personave të përfshirë në konflikt teksa mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ndërkaq mësohet se pak minuta më parë është bërë i mundur arrestimi i autorit 60-vjeçar, i cili duke përfituar nga errësira u largua mbrëmjen e djeshme nga vendi i ngjarjes.

Nga ana tjetër, mësohet se 28-vjeçari Redian Caushaj prej orësh ndodhet në sallën e operacionit, ndersa thirrjes së spitalit të Vlorës për të dhuruar gjak gjatë orëve të mesnatës i janë përgjigjur kolegë të 28-vjeçarit.

Njoftimi i Policisë Himarë për ngjarjen e Pilurit

Rreth orës 23:00, te kthesa e fshatit  Pilur, disa shtetas po konfliktoheshin  fizikisht me njëri-tjetrin.

Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë R. Ç., 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi  Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën.

Shtetasi Th. M. pasi ka goditur punonjësin e Policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira.

Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.

Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për  dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.