Padyshim ky është skenari më i hidhur i një rregullimi marrëdhëniesh, por ndarja nga jeta e 22-vjeçarit Brilant Martinaj duket se ka përmirësuar raportet mes Arkimed Lushajt, i njohur thjesht si Stresi, dhe ish-partneres së tij Keisi.

Viktima, i cili u ekzekutua në Fushë-Krujë pak ditë më parë, ka qenë një mik shumë i afërt me ta dhe të dy janë pikëlluar nga humbja e madhe. Keisi publikoi pas lajmit disa foto dhe video të reperit me Martinajn, ku ka qenë dhe ajo e pranishme së bashku me një grup miqsh. “I miri jonë”- shkruante ajo krah videos që e shoqëroi me këngën e Dafina Zeqirit, ‘Malli’.

Nga ana tjetër, Stresi jo vetëm që u shpreh zemërthyer në rrjetet sociale, por ka vendosur të anulojë të gjitha koncertet dhe performancat, pas vdekjes së mikut të tij. Lajmin e ka bërë të ditur vetë reperi përmes një postimi në Instastory, ku shkruante se arsyeja e këtij vendimi është se ka nevojë për qetësi. “I kërkoj ndjesë publikut, i kërkoj ndjesë të gjithë clubeve ku do performoja por anuloj çdo aktivitet timin. Kam nevojë për qetësi.”– shkruante Stresi në postimin e tij.

Ndërkohë ditën e sotme Keisi ka publikuar në Instagram një video të vjetër të Stresit gjatë një koncerti ku ai përshëndeste Brilantin. Ajo e ka shoqëruar videon me inicialet e tij B.M dhe emojin e një ëngjëlli teksa ka etiketuar edhe Stresin. Ky i fundit e ka rishpërndarë postimin në llogarinë e tij.