Pas Kukësit, Wizz Air braktis edhe fluturimet për në Liverpool , Birmingham dhe Edinburg: A po ikin pas ardhjes së RyanAir?
Pas braktisjes së aeroportit të Kukësit, kompania ajrore Wizz Air anulon edhe nisjen e fluturimeve direkte Shqipëri-Skoci. Kompania me bazë në Hungari pritej të të niste fluturimet direkte midis Edinburgut dhe Tiranës këtë vit.
Sipas planit, Wizz Air do të fillonte katër fluturime në javë mes Tiranës dhe Edinburgut duke filluar nga data 18 dhjetor. Por linja ajrore deklaroi për gazetën The Herald se nisja e kësaj rrugë është pezulluar. Linjat e tjera të pezulluara janë Liverpooli dhe Birgminghami.
Kompania deklaron se shtyrja pritet të jetë e përkohshme, pasi ajo ka investime të konsiderueshme në kryeqytetin shqiptar.
Linja ajrore pret që kërkesa për fluturime të mbetet e fortë pasi ajo sapo shënoi një tremujor rekord. Numri i pasagjerëve që fluturuan përmes Wizz Air u rrit me 25% në tremujorin e dytë të vitit duke arritur në 15.3 milionë vetë, krahasuar me 12.2 milionë një vit më parë.
Në përditësimin e javës së kaluar, Wizz Air bëri të ditur gjithashtu se do të alokonte një avion shtesë në Tiranë “që do ta çonte bazën në 11 avionë”.
Wizz Air njoftoi nisjen e fluturimeve direkt mes Shqipërisë dhe Skocisë në qershor së bashku me nëntë linja të tjera të reja në rrjetin e saj shqiptar.
A po bëhen gati të ikin hungarezët e WizzAir pas lajmit se në tetor vjen kompania RyanAir?