Policia e Tiranës ka marrë në pyetje shoqen e dhomës së 22-vjeçares Joy Ayoko, e cila u dhunua barbarisht në gusht të vitit që lamë pas dhe humbi jetën pak ditë më parë.
Hetuesit që po merren me zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë duan të dinë më shumë për kontaktet që Joy kishte pasur me shoqen e saj dhe mënyrën se kjo e fundit kishte konstatuar ngjarjen e rëndë. Pasi vlen të thuhet se ishte pikërisht ajo që të nesërmen gjeti trupin e shoqes së saj pranë banesës.
Ndërkohë që ditën e djeshme u rimor në pyetje edhe shoferi i kazinosë ku punonte viktima, Rodi Braçi, 32 vjeç. Ai dyshohet të jetë një nga kontaktet e fundit që keniania ka patur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.
Braçi është personi që ka lënë Joyn në hostelin ku ajo strehohej bashkë me disa vajza të tjera me nënshtetësi të huaj që punonin në një kazino në Tiranë. Në deklarimet e tij fill pas ngjarjes shoferi ka mohuar të ketë patur konflikte mes tij dhe 22-vjeçares. Të njëjtin qëndrim mësohet të ketë mbajtur edhe përpara grupit hetimor.
Një prej pistave ku hetuesit kërkojnë të gjejnë prova është ekspertimi i celularit të kenianes, me qëllim nxjerrjen e kontakteve të saj të fundit.