Në Portin e Shëngjinit ka mbërritur një anije e rojës bregdetare italiane për të marrë 12 emigrantët që u vendosën në Gjadër, pas vendimit të Gjykatës së Romës se të gjithë duhet të kthehen në Itali.
Varka është ankoruar në Portin e Shëngjinit, ndërsa pritet të niset drejt Italisë brenda pak orësh.
12 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti u kapën më 13 tetor nga Guardia di Finanza dhe që u sollën në Gjadër dy ditë më parë, 16 tetor, pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri. Pasi qëndruan dy ditë në kampin e Gjadrit emigrantët do kthehen në Itali, pas këtij zhvillimi të brendshëm të shtetit italian
Vendimi i mor një ditë më parë, nga Gjykata e Romës bazuar në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta. Duke iu referuar edhe Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në vendimin e trupës së gjyqtarëve të Romës thuhet se Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye 12 emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali dhe jo në kampe, dhe as nuk mund të lihen të lirë në territorin shqiptar.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta edhe në dritën e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, argumentojnë gjyqtarët e Romës. Çka detyron Italinë që ti mbajë ata në qendrat e emigrantëve brenda territorit italian.