Pastronin paratë e krimit, sekuestrohet kompania e Vladimir Avramit, babait të administratorit të Albgaz , Arbër Avrami
Detaje të reja nga urdhëri i Prokurorisë së Tiranës, që vendosi nën masën e sekuestros pasuri me vlerë rreth 50 mln euro në pronësi të biznesmenit kontrovers, Kristian Boçi.
Nën sekuestro janë vënë 14 shoqëri tregtare dhe dy HEC-e, ndërkohë që Boçi pretendon se nuk është përfshirë në asnjë aktivitet kriminal në Shqipëri.
Sipas prokurorisë këta persona janë dënuar në Belgjikë për trafikimin e lëndëve narkotike, dhe bizneset në Shqipëri janë përfituar përmes skemës së pastrimit të parave, pjesë e të cilës janë edhe familjarë të tyre.
Pasuritë janë në pronësi të Kristian Boçit, Drilona Boçit, Ender Boçit, Eliverta Boçit, Vladimir Avramit dhe Marisa Nitos, të gjithë persona të lidhur mes tyre, përmes rrethanave shoqërore dhe familjare.
U sekuestrua shoqëria e Vladimir Avramit, ‘Europa Bilding’. Avrami është babai i Arbër Avrami, administrator i “Albgaz” kompania publike “Albanian Seaports Development Company”.
Sektori i gazit në Shqipëri ka një rëndësi shumë të madhe ekonomike, megjithëse menaxhimi ndër vite nuk ka siguruar përfitime monetare për shtetin, ndërkohë që përfituesit kryesorë janë kompanitë private.
Kompanitë të tjera që i janë sekuestruarjanë: ‘Metal Form’, ‘Fidalba’, ‘Ferro Chrome Holding’, ‘Metale Albania 2014’, ‘Ventus’, ‘Trital’ e ‘Rametal’, ‘Alfemet’.
U sekuestruan shoqëritë e Kristian Boçit, ‘Mak-08’, ‘Dizi’, ‘Gloris Constuction’, dhe dy HEC-e ‘Hec Zall Xhuxhë’ dhe ‘Chris sh.p.k’. Janë sekuestruar sekuestruan shoqëritë ‘Dada Clean’ dhe ‘Sapientia’ të Marisa Nitos.
Skema e pastrimit të parave
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 50 mln euro të Krisjan Boçit, të dënuar për drogë në Belgjikë, Elman Abule dhe 5 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në skemën e pastrimit të parave në Shqipëri, ku rol kishin edhe bashkëshortet e tyre.
Mes pasurive të sekuestruara janë 14 njësi tregtare, llogari bankare, dyqane, garazhe, apartamente dhe një automjet me vlerë 117 mijë euro në pronësi të Kristjan Boçit.
Prokuroria e Tiranës informon se nga hetimet ka rezultuar se Elman Abule, i cili ka kryer dënimin për trafik droge në Belgjikë në kuadër të grupeve kriminale, ka themeluar një sërë shoqërish tregtare me qëllimin për të maskuar kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.
Raportohet se Elman Abule, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin Kristjan Boçit dhe Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.
“Nga hetimet është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna”, informon organi hetues.
Gjithashtu rezulton se janë krijuar shoqëri fiktive, të cilat pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar.
Janë dhënë hua në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, si edhe janë krijuar shoqëri me kuota të përbashkëta midis shtetasit me Elman Abule dhe Kristjan Boçit, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj. /vox