“Tregues i kthesës që kanë marrë marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe tronditjeve të shkaktuara nga dënimi i kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ishte mungesa e përfaqësimit të Forcave të Armatosura të Greqisë, konkretisht të Forcave Ajrore në hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë”.
Kështu nis një shkrim i gazetës së njohur greke “Kathimerini” që i ka kushtuar vëmendje asaj që ndodhi të hënën me bazën e Kuçovës.
“Ish-aeroporti sovjetik u rihap të hënën e kaluar pas përfundimit të një programi ambicioz modernizimi në bazën, e cila dekada më parë strehonte MiG-ët sovjetikë. Informacionet tregojnë se kostoja e punimeve ka arritur në 50 milionë euro dhe është financuar nga fondi i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Domethënë nga shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë natyrisht, edhe Greqinë.
Në ceremoninë e hapjes, avionë italianë Eurofighter u ulën në pistë, pasi Roma merr përsipër patrullimin e hapësirës ajrore të Shqipërisë për 15 ditë çdo muaj. Por 15 ditët e tjera janë përgjegjëse për policimin (NATO Air Policing) e Hapësirës Ajrore të Tiranës pikërisht Forcat Ajrore Helenike. Avionë F-16 nga Volosi dhe Aghialos fluturojnë në intervale të rregullta mbi Shqipëri dhe vihen në gatishmëri për emergjenca, si operacionet e shoqërimit ose përballja e ndonjë kërcënimi asimetrik nga ajri” – thuhet në shkrimin e “Kathimerini”.
“Pra, ndërkohë që Roma ishte e përfaqësuar në një nivel të lartë, pasi përveç gjuajtësve EF-2000 ishte i pranishëm edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Croceto, thuhet se Athina nuk ka marrë një ftesë, pavarësisht se merr pjesë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë, ashtu si edhe Italia. Burime kompetente e cilësojnë ngjarjen si një “paturpësi” duke vënë në dukje se edhe nëse do të ishte ftuar pala greke, gjendja e marrëdhënieve mes dy vendeve nuk do të lejonte praninë e zyrtarëve apo avionëve ushtarakë” – thuhet në shkrim që bën më pas edhe krahasimin me prezencën turke në këtë ceremoni.
“Në Kuçovë, megjithatë, prania e Ankarasë ishte e shtuar, pasi u prezantuan 3 dronë të armatosur të tipit Bayraktar TB2, të blera së fundmi nga Shqipëria në Turqi, të cilat do të vendosen përgjithmonë në këtë bazë” – thotë shkrimi që më pas bën një pasqyrim të bazës.
“Kuçova ndodhet afërsisht 80 kilometra në jug të Tiranës dhe pritet t’u shërbejë nevojave të aleancës për transportin e aseteve dhe sistemeve, operacionet dhe aktivitetet e trajnimit. Kjo do të thotë se ushtarët grekë do të mundësi të përdorin pistën nëse u kërkohet. Në fund të fundit, si pjesë e stërvitjes aleate (Tango Scramble), pilotët e Forcave Ajrore ndjekin një skenar uljeje të detyruar (një teknikë ku piloti ka mundësinë të zgjedhë një aeroport ose mund të shkojë më shpejt aty si aeroporti më i afërt) duke bërë një kalim të ulët mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Për vite me radhë, Greqia dhe Italia kanë patrulluar hapësirën ajrore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me përgjegjësi të ndara çdo dy javë. Për Greqinë, prania ushtarake në rajonin kritik të Ballkanit është një prioritet absolut dhe vepron si një kundërpeshë ndaj ndikimit gjithnjë në rritje të Ankarasë. Pak muaj më parë, Athina dhe Sofja filluan diskutimet në nivel diplomatik, në mënyrë që Forcat Ajrore të marrin përsipër kontrollin e hapësirës ajrore të Bullgarisë, derisa vendi të sigurojë një flotë moderne avionësh luftarakë” – thuhet në shkrimin e “Kathimrini”.