Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka shprehur “indinjatën e thellë” të saj për faktin që pedagogët dhe punonjësit ndihmës mësimorë të universiteteve publike nuk janë përfshirë në rritjen e pagave të miratuar më 6 korrik 2022 nga Qeveria, me gjithë kërkesat e saj të vazhdueshme, si në Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Në një deklaratë për shtyp, kjo sindikatë shprehet se pandjeshmëria e Qeveria ndaj kërkesave të tyre do t’i detyrojë anëtarët e saj të përshkallëzojnë aksionin sindikalist deri në bojkotim të vitit të ri akademik:

“Megjithëse kjo rritje për punonjësit e arsimit parauniversitar prej 6 % është thuajse tallëse, – thekson Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, – sepse nuk kompenson as masën e inflacionin prej 6,7% që deklaroi po dje guvernatori i BSH, injorimi i kërkesave të pedagogëve dhe punonjësve ndihmës mësimorë për rritjen e pagave është tërësisht i papranueshëm.”

Reagimi:

“ Me këtë rritje galopante të inflacionit, të çmimeve të ushqimeve bazë dhe produkteve të tjera bazë të jetesës, edhe pedagogët po zhyten në varfëri, për shkak të pagave të ulëta që marrin, të cilat janë më të ulëtat në rajon dhe gati 40 % më të ulëta se në universitetet publike të Republikës së Kosovës.”

“Pandjeshmëria e qeverisë për të plotësuar kërkesat minimale të profesoratit të paraqitura nga ne në Kuvendin e Shqipërisë në nëntor 2021 si rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës shkencor e administrativ, rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare, rivlerësimi i orës mësimore të leksionit, zbutja e tatimit prej 23% mbi realizimin e ngarkesës mësimore suplementare apo rivendosja e shtesave mbi pagë për “Dëmshmëri shëndeti në punë”, për laborantët dhe stafin akademik që punojnë në laboratore, në kontakte me “substanca të rrezikshme dhe preparate të tjerë” – do të detyrojë pedagogët dhe punonjësit ndihmës mësimorë të universiteve publike të vendit që, në përputhje me të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligji, së bashku me studentët e tyre, të përshkallëzojnë aksionin e tyre sindikalist, deri në bojkotim të fillimit të vitit të ri akademik.

Ne i kërkojmë edhe njëherë MAS dhe Këshillit të Ministrave të shqyrtojë menjëherë edhe kërkesat e pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve publike për përmirësimin real të pagave.