Pensionet që do të llogariten pas 1 korrikut 2024 do të indeksohen mbi bazën e koeficientëve të rinj.
Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për përcaktimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve”, me koeficientët e indeksimit të pagave nga viti 1993 deri në 2024.
Këta koeficientë do të përdoren për llogaritjen e masës fillestare të pensionit që nis nga 1 Korriku 2024.
“1. Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, me indeksin 13.5%, të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 2. Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2022 dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2024 e në vazhdim”, thuhet në vendim.
Indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritur nëpërmjet pagave të periudhës 1994–2022, referuar kontributeve të derdhura sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Në vendim thuhet se pas aplikimit të indeksit të vitit 2022, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1 korrik 2024, nuk mund të jetë më e lartë se:
trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001;
b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.