
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar strategjinë dhe ekipin me të cilin Partia Socialiste do të garojë në zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, kjo skuadër do të përfaqësojë një kombinim të eksperiencës me energjinë e re, duke synuar të sigurojë vazhdimësinë e procesit të integrimit europian.
“Skuadër perfekte nuk ka, por një skuadër shumë të mirë do ta keni. Do të jetë një skuadër e ripërtërirë, ku do të harmonizohet eksperienca me energjinë e të rinjve. Do të ketë dijen e nevojshme për procesin e BE-së dhe do të përfaqësojë më së miri sfidat e kohës,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se kandidatët me përvojë do të jenë në terren për të mbledhur vota, ndërsa në listën e mbyllur do të përfshihen emra të rinj që hyjnë për herë të parë në parlament, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të shoqërisë.
“Çdokush që ka pasur një mandat do të jetë në fushëbetejë për të marrë vota për veten dhe PS-në. Burrat nuk diskutohen, por edhe gratë dhe vajzat nuk përjashtohen,” shtoi më tej kryeministri. /gazetajonë