Një 32 vjeçar ka humbur jetën pasi është ndjekur dhe shoqëruar nga Policia.
Rasti është bërë publik nga Agjencia e Mbrojtjes Policore e cila po zhvillon hetimet lidhur me ngjarjen.
Sipas hetimeve paraprake nuk ka dhunë të ushtruar nga Policia. Për rastin që duket i ngjashëm me atë Klodjan Rashës, për të cilin sot është në burg një efektiv policie. AMP, thotë se presin ekspertizën.
Kujtojmë se edhe për Klodjan Rashën fillimisht u tha, se kishte pasur një armë me vetë dhe kishte reaguar ndaj Policisë, por më vonë e vërteta rezultoi ndryshe.
Njoftimi i AMP-së
Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.
Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L. K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.