Një grup kompanish të hapura rishtaz në offshore, me pronarë të panjohur janë duke shitur masivisht naftë ruse në tregjet europiane duke anashkaluar embargon e vendosur nga fuqitë e mëdha të Perëndimit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në prill eksportet e naftës nga Rusia arritën në 8.3 milionë fuçi në ditë, çka përbën shifrën më të lartë që nga fillimi i luftës. Pjesa më e madhe e kësaj nafte përfundon në Europë përmes një trekëndëshi, që përfshin të paktën 5 vende të treta.

Sipas Global Witness,vendet e përfshira në këtë operacion janë Kina, Turqia, Emiratet Arabe, Singapori dhe India. Këto shtete importojnë sasi të mëdha të naftës bruto nga Rusia dhe pas rafinimit në rafineritë e tyre, furnizojnë Europën dhe vendet e tjera që kanë rënë dakord për embargon mbi Rusinë.

Guackat offshore

Për të humbur gjurmët, i gjithë operacioni për kontrabandimin e naftës ruse në tregjet europiane drejtohet nga disa shoqëri guacka të hapura rishtazi në Dubai, Hong Kong dhe Singapor.

Në Hong Kong është krijuar shoqëria Nord Axis, një nga shpërndarësit më të mëdhenj të naftës ruse. Në këtë vend operojnë gjithashtu edhe Bellatrix Energy e Concept Oil Services.

Ndërsa në Dubai janë themeluar Tejarinaft, FZCO, QR Trading DMÇ dhe Coral Energy DMÇ. Të gjitha këto shoqëri së bashku kanë tregtuar mesatarisht 1.4 milionë fuçi naftë në ditë në tremujorin e parë të vitit.

Thuajse të gjitha këto sasi nafte nisen nga Porti i Vadinarit në Gujarat, një vend që gjendet shumë pranë rafinerisë Nayara Energy, e cila kontrollohet nga ndërmarrja publike ruse e naftës Rosneft.

Me pak fjalë, një rrjet shoqërish me pronarë të panjohur dhe pesë shtete të cilat janë duke asgjësuar embaron e Perëndimit mbi naftën ruse. Të gjithë këta po fitojnë para, ndërkohë që Rusia grumbullon të ardhura për të financuar luftën në Ukrainë.