Nëna e Leonard Thodhorit në Sarandë ka treguar bisedën e fundit që ka bërë me të birin para se ky i fundit të zhdukej. Në një intervistë për emisionin “Uniko”, Evanthia Thodhori zbuloi fjalët e fundit të të birit.

“Nëse mungoj 2 ditë qaje Nardin dhe denonco në polici”. Këto fjalë i ka thënë Leonard Thodhori nënës së tij një ditë para se të zhdukej.

Prej pothuajse 3 javësh, Leonard Thodhori dhe shoku i tij Fatmir Sulovari rezultojnë të zhdukur. Dyshohet që ata të jenë rrëmbyer dhe vrarë.

Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë konflikti për një tokë në Sarandë dhe një pagesë e bërë prej 21 mijë Eurosh, por nuk përjashtohen dhe konfliktet për prishjen e pazareve të drogës.

INTERVISTA:

Evanthia Thodhori: Niko Beduli është shoku i Leonardit më i ngushti, vinte hante në shtëpinë time, pinte.

Spartak Koka: Pra, këtë tokë e kanë bërë si të tyren Niko Beduli shoku i tij i ngushtë dhe Leonard Thodhori, djali juaj.

Evanthia Thodhori: Po. Ke të drejtë tani të hysh në Hipotekë, se mua nuk më tregojnë.

Spartak Koka: Këtu thuhet që për këtë tokë janë paguar 21 mijë Euro. Do merreshin dhe para të tjera të pashlyera për këtë tokë.

Evanthia Thodhori: Po. Po kush i ka?

Spartak Koka: Niko Beduli ishte bashkëpronar?

Evanthia Thodhori: Qe bashkëpronar. Niko Budali ka prona në Gjashtë, ka në Metoq.

Spartak Koka: U tha që ata së bashku e kanë shitur këtë tokën.

Evanthia Thodhori: Po bashkë.

Spartak Koka: Djali të ka shprehur ndonjë frikë?

Evanthia Thodhori: Më tha mua, po mungova 1 ditë tha, po mungova 2 ditë qaje Nardin, po ik në polici denonco. Dakort. Unë vajta menjëherë. Të enjten paradite erdhi më mori me makinë, më tha mua do vish të flesh lart te motra tënde që është vetëm. Do vij bir i nënës i thashë. Erdhi më mori. Në makiën kishte Ylli Gjinikën. Data 6 që erdhi ai. S’kishte humbur Nardi akoma. Po këtë ku e çon ti i thashë unë? Po ti e di o plakë që e kam shok unë atë tha, ne jemi vëllezër. Tha ai unë do vete ta ruaj Koçolen. Pse, i thashë unë? Po ja kështu të vemi bashkë. I thashë unë, o Nardi sonte e do çelësin? Jo tha. Nuk e mori. Më çoi para te Miri. Miri rrinte tek ai lokali. Fatmir Sulovari. Ky pinte raki atje. Ai s’e ktheu kokën, nuk zbriti fare Leonardi. Më tha mua jepi çelësin Mirit se i vjen turp nga ty që të rrinte në shtëpi. I them unë o Miri merr o floriri nënës, merre çelësin mos ta marr unë. Ai përfundimisht nuk e mori. S’e mori, as ai as Nardi. Ku vajti Nardi pastaj? Miri qëndroi atje, ai erdhi këtu me makinën që kishte.