Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, njëherësh dhe shkrimtare, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e Portit të Durrësit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pa dakordësinë e opozitës.
Në një shkrim në “Facebook” Açka shpalos talentin e saj në penë, ndërsa nuk i kursen ironitë me historinë e një personazhi të saj, një politikan i njohur italian (pa emër) dhe biznesmenit që do të ndërtojë portin e ri.

Mes ironisë të cilën nuk e kursen në doza, Açka tregon bisedën mes biznesmenit dhe politikanit italian që ndodhet në Dubai, ku ky i fundit pyet se si u arrit kjo marrëveshje.

MESAZHI I AÇKËS
Nga Dubai në Durrës
Rrëfim i një politikani italian n’dashni me Shqipëri
Një politikan i lartë italian, i spektrit të djathtë, i njohur për jetën e tij luksoze dhe marrëzitë e shpeshta duke hyrë e dalë nga politika italiane në tridhjetë vitet e fundit, vendosi të vizitojë Dubain.
Muzgu e zuri në një kat të lartëm të një prej ndërtesave më të larta, tek rehatohej në ndenjëset luksoze përballë murdritës ku po argëtohej me dinjitarët e qytetit të ndërtuar në ajër.
Befas, tek shihte dritaret e errëta të ngrehinave përballë, vërejti se ato u ndezën menjëherë, si me urdhër, në të njëjtën kohë. Bëri një gjest të dukshëm habie, por nuk e çoi deri në fund.
– Çfarë ndodhi? – pyeti i hutuar.
– Po ja, – tha dinjitari dubajez, i cili edhe vetë habitej shpesh me pasurimin e tij të përbindshëm, – e sheh këtë butonin këtu? E shtypa dhe u ndezën. Unë e kontrolloj këtë qytet, paratë e mia janë shteti, ajri, bursa, mileti. A t’i shuaj për ty?
– Jo, e kam frikë errësirën.
Dinjitari i bëri shenjë një shërbëtori aty dhe tjetri shtriu fët e fët një hartë të Mesdheut. Politikani i lartë italian u përkul të shihte dhe i ndali sytë te forma prej çizmeje e atdheut të tij.
– Këtu e kemi projektin e radhës, – tha dinjitari dubajez dhe shtriu gushtin mbi gjirin e Durrësit, këtu do të bëjmë portin më luksoz të ish-perandorive. Luksi është perandoria e re.
– Në mare nostrum? – klithi politikani italian.
– Nuk e di si i thoni ju, në kontratë shkruhet Durrës.
Politikani italian vuri duar në kokë. Sa shekuj ishte përpjekur atdheu i tij ta bënte të vetin atë gji, dhe nuk ia kushte dalë. Çfarë nuk i erdhën në mend, por nuk ishte vendi t’ia rrëfente këtij dinjitari më paralli se ai këtë histori kombesh. Por pati edhe një kureshtje të fundit.
– Po si ia dolët t’i bindni?
– E thjeshtë fare, i bekuam “te vendi që s’thuhet”. Dhe e kishin pasur të thellë, mezi ngopej, por ia dol?m. U zumë keq me vite, por u mirëkuptuam.
– Po pse ne nuk ua dolëm dot?
– Ju keni Bisteça alla Fiorentina, por ne kemi Bisteçhi di Nustreti. Kushtojnë më shumë, shumë më shumë…
“O Zot!” thirri pa zë italiani i tronditur dhe përfytyroi tisin që do të mbulonte ngadalë Durrësin, bashk? me antikitetin e tij në vendin e politikanëve të shkollës së ”imbelice”-ve.