3.1 milionë euro pasuri mes të cilave 10 apartamente, 22 dyqane, e një vilë luksoze e Oltion Bistrit duhet të qëndrojnë të sekuestruara.
Ky ishte vendimi i Apelit të Posaçëm ndaj ish-drejtorit të operacionales i arrestuar në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’. Po ashtu është sekuestruar një truall me sipërfaqe 200 m2 në rrugën e ‘Kosovarëve’ në Tiranë, garazh me sipërfaqe 87.8 m2 në Selitë dhe një ‘Range Rover Sport’, vit prodhimi 2012.
Disa javë më parë me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e 36 pasurive. SPAK njoftoi se ka indicie dhe dyshime se pasuritë janë vënë nga aktiviteti kriminal i Bistrit.
Në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’, zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe SKY ECC zbuloi rrjetin e anëtarëve të grupit kriminal, ku përfshihej edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-Shefi i operacionales Oltion Bistri. Ky i fundit akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe prej rreth një viti ndodhet prapa hekurave.
Komunikimet në aplikacionet e çkoduara, treguan se Bistri shërbente si informatori i çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit, duke ia dërguar Pëllumb Gjokës. Biznesmeni Gjoka kishte një kazino, që nuk lejohej nga ligji dhe për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK Bistri jepte informacion në raste të operacioneve policore, që mos të goditej kazinoja e Gjokës.