Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njoftoi ndryshime të mëdha në radhët e policisë, në daljen e tij të parë publike, duke përdorur gjuhën e një politikani që synon “segmentin e ri të rrugës sonë drejt Shqipërisë 2030.”
Sipas ligjit të ri të policisë procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të policisë do bëhet me komisione që do të përbëhen nga një zv.ministër i Brendshëm dhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë por edhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Për ministrin Hoxha do të jetë një sfidë pastrimi i Policisë nga eksponentë të caktuar që kanë problem me drejtësinë.
Rasti më flagrant është i kreut të Policisë Rrugore, Milot-Morinë, Julian Balliu i cili në vitin 2018 u kap mat për trafik dhe shitje kokaine me një qytetar.
Pas transmetimit në emisionin Fiks-Fare, oficeri u shpall në kërkim, madje u akuzua edhe për një rast tjetër.
Por, çështja u copëtua, denoncuesit iu falsifikua një kërkesë dhe çështja u mbyll në Apelin e Vlorës vetëm me procedurë.
Pas këtij vendimi, oficeri Julian Balliu u rikthye nga arratia në Policinë e Shtetit, madje me të njëjta grada pavarësisht se çështja është në Gjykatën e Lartë.
Sekretari i Partisë Demokratike, Flamur Noka e akuzonte Julian Balliun si gjobvënës, pasi vendoste trarë betoni në bizneset që ai nuk donte të punonin.
Shumë qytetarë janë ankuar se po gjobiten nga drejtuesi i Autostradës Milot-Morinë, Julian Balliu me pretekste banale.
Ndërkohë që Ministria e Brendshme i siguron qytetarët se do të godasë fort krimin dhe korrupsionin, Julian Balliu, dikur i kërkuar nga drejtësia për pazare droge është në një post të rëndësishëm si shef në njësinë speciale të policisë rrugore për Autostradën Milot-Morinë.
Balliu ka mbajtur edhe detyra të tjera të rëndësishme, si në policinë e Lushnjes si shefi i qarkullimit rrugor.
Dekonspirimi i aksioneve, lidhja me elementë dhe grupe kriminale duke u paguar nga ata duke përdhosur uniformën, ligjin, dhe postin e policit, mbeten sfida e Ministrisë së Brendshme për të larguar çdo person brenda rradhëve të Policisë së shtetit të lidhur me krimin. /voxnews