Në janar të vitit 2018, emisioni Fiks Fare transmetoi pazaret mes një oficeri të policisë dhe një qytetari për trafik dhe shitje kokaine.

Oficeri i premtonte denoncuesit 200 gramë kokainë. Lëndën narkotike donte t’ia jepte për një borxh mes tyre për ndërtimin e një karburanti në Berat. Pas transmetimit, oficeri u shpall në kërkim, madje u akuzua edhe për një rast tjetër. Por, çështja u copëtua.

Fillimisht e hetoi Krimet e Rënda, më pas Prokuroria e Kavajës dhe në fund Prokuroria e Beratit. Kjo e fundit kërkoi pushimin e çështjes. Çështja shkoi në Apelin e Vlorës, ku fillimisht u vendos rihetimi. Më vonë, denoncuesit iu falsifikua një kërkesë dhe çështja u mbyll në Apelin e Vlorës vetëm me procedurë.

Pas këtij vendimi, oficeri Julian Balliu është rikthyer nga arratia në Policinë e Shtetit, madje me të njëjta grada pavarësisht se çështja është në Gjykatën e Lartë.

Në redaksinë e Fiks Fare u ankua sërish R.M., i cili tha se kjo çështje nuk është hetuar.

“Donin ta pushonin. Prokurori i Beratit Dritan Gripshi e dërgoi në gjykatë për pushim me arsyetimin se ‘s’ka qenë në orar të punës’. Ne e apeluam dhe janë bërë 2 gjyqe në Apelin e Vlorës. Në gjyqin e parë, Apeli e riktheu çështjen për rihetim dhe i lë detyra prokurorit. Prokuroria e Beratit s’e hetoi. Shkoi sërish me të njëjtën arsyetim në gjykatë për ta pushuar çështjen. E ankimuam sërish në gjykatë. U bë gjyqi i dytë në Apelin e Vlorës dhe në këtë kohë ka ndodhur diçka e çuditshme. Dhe kjo është arsyeja që i jam drejtuar emisionit Fiks Fare”, tregon denoncuesi.

Ai pohon se në janar të vitit 2022, avokati i tij Denis Xhelili ka paraqitur një kërkesë në Apelin e Vlorës.

“Bëri kërkesë gjoja unë tërhiqem nga ankimi. Fillimisht e bëri në emrin e tij. Gjykata s’ia ka pranuar dhe duhej firma ime. Pastaj 2 javë më vonë, ka qenë gjyqi prapë, aty është paraqitur një letër gjoja e firmosur nga unë. Në shkurt 2022 avokati Denis Xhelili dorëzoi letrën. Në letër shkruhej ‘unë tërhiqem nga çështja, s’e ndjek më çështjen’. Kishin falsifikuar firmën time. Në atë kohë unë ndodhesha jashtë shtetit. Ka shkuar kjo shkresa edhe një e-mail gjoja e kisha dërguar unë në emrin tim” tregon denoncuesi. Sipas tij, është edhe një audio nga Gjykata e Apelit të Vlorës dhe rezulton se avokati Xhelili ka qenë prezent. “Ai e mohon, por në vendimin e gjykatës ai ka qenë prezent. Në audio i përgjigjet pyetje të gjykatës që unë jam tërhequr. Firma duket se është e falsifikuar”, pohon ai.

Denoncuesi tregoi për gazetarët e Fiks Fare se ka kontaktuar me një avokat të ri, Bashkim Sulstarova. “2 ditë para gjyqit, avokati ka dorëzuar një prokurë në Apelin e Vlorës. Në datën 24 shkurt 2022 ka shkuar në seancë. Por seanca është bërë në dhomën e këshillimit.

Gjykata mori për bazë letrën që kishte dorëzuar avokati i parë që gjoja unë tërhiqem nga kjo çështje dhe u pushua me procedurë. Pa u bërë gjyqi, në dhomë këshillimi. Tani jemi në Gjykatën e Lartë dhe po presim të na vijë radhë të zhvillohet procesi” thotë ai.

Fiksi bisedon edhe me z. Bashkim Sulstarova, avokatin e denoncuesit.

“Në datën 15 shkurt 2022 më dërgon klienti një prokurë që këtë çështje ta përfaqësoja unë në Gjykatën e Apelit. Shkova në Apel dhe u informova. Më thanë se seanca është lënë në datën 24 shkurt ora 09.00. Shkoj në këtë datë dhe në sallë gjej gjyqtarin dhe i them këtu-këtu. I dorëzoj edhe prokurën. Më tha avokat po problemi qëndron këtu thotë se avokati para jush ka dorëzuar një kërkesë për heqje dorë, unë s’e pranova. E kërkova nga bëtë viktima. Më ka ardhur një kërkesë nga vendi ku ai rri që ai heq dorë. Gjithashtu më dërgon edhe një kërkesë në adresën time të e-mailit. Kështu që ndodhem në këto kushte. Më thotë se kam 3 kërkesa dhe jam i detyruar të futem në Dhomë Këshillimi dhe ta pushoj këtë çështje”, tregon avokati Sulstarova.

Ai thotë se një gjë e tillë s’ka mundësi, pasi nëse do të hiqte dorë s’kishte pse ta merrte atë si avokat.

“I kërkova gjykatësit ta shtynte edhe njëherë këtë seancë sa të sqarohej mirë kjo punë sepse nuk ka bërë kërkesë viktima për heqje dorë. Gjykata më tha se e ka lënë sot (24 shkurt 2022) dhe sot do të futeshin në dhomë këshillimi dhe do të merrnin vendim. Në këto kushte s’kisha çfarë të bëja dhe u largova. Gjykata mori vendim për pushimin e çështjes në bazë të kërkesës. Vendimi u mor vetëm me kërkesat, jo se u fut gjykata në themel”, pohon avokati.

Ai shton se ka kontaktuar edhe me avokatin e mëparshëm. “Ai e mohoi kategorikisht që s’kishte qenë në seancën e datës 1 (shkurt 2022), unë kam qenë jashtë shtetit. Nuk arrij të kuptoj këtë lëmsh. Por ka audio dhe gjyqtari shprehet se i pranishëm është edhe avokati Denis Xhelili që kërkon tërheqjen” pohon Sulstarova.

Fiks Fare ka siguruar audion e seancës së datës 1 shkurt 2022. Relatori i çështjes bën apelin dhe rezulton se avokati Denis Xhelili ka qenë prezent në atë sallë. Gjyqtari kërkon kartën ID, ndërkohë që trupi gjykues thotë se avokati ka dorëzuar një kërkesë nga viktima R.M për heqje dorë nga ankimi.

“Falsifikimi është bërë nga një person që ka shumë interesa për atë çështje. Se po ta kishte bërë viktima, s’kishte pse më emëronte mua dhe u mbyll kjo çështje dhe mbaroj. Kur vetë viktima është shumë i shqetësuar për ecurinë e këtij procesi gjyqësor me këto kërkesa që s’janë as të avokatit dhe as të klientit tim”, përfundon avokati Sulstarova.

Gazetarët e Fiks Fare bisedojnë edhe me avokatin Denis Xhelili.

“Ky zotëria me sa mbaj mend ka bërë kërkesa vetë, pastaj ka mohuar. Pastaj ka bërë revokime prokurash. Pastaj s’ka paguar detyrimet. Mashtrues me pak fjalë”, thotë ai.

Gazetarët e pyesin se kush është mashtrues, pasi redaksia e Fiks Fare e ka faktuar se ai denonconte një oficer që bënte pazare droge. Avokati përgjigjet se “pa dhënë gjykata vendim duhet të heshtim”. Pra, mbron interesat e vetë oficerit dhe jo të klientit të tij. Fiksi e pyet disa herë se kush e ka depozituar kërkesën e datës 2 shkurt 2022 në Gjykatën e Apelit të Vlorës.

“Mos bini në kurthin e tij”, përgjigjet, teksa gazetarët i bëjnë me dije se me këtë përgjigje “po mbroni klientin tuaj apo atë tjetrin?”.

Avokati pyetet disa herë për atë shkresë, por refuzon të përgjigjet duke pohuar se “denoncuesi më ka shantazhuar”. Fiksi i thotë që të bëj kallëzim penal. “Unë nuk mund të shprehem për gjëra që s’kam dijeni” ndërsa më pas mbyll edhe telefonin.

Fiksi e pyet denoncuesin se çfarë ka ndodhur me personin, OPGJ-në që akuzoi në janar të vitit 2018.

“Ai quhej Julian Balliu, me detyrë në atë kohë Shef Qarkullimi në Lushnjë. Me informacionet që kam unë ka marrë emërimin inspektor i policisë rrugore në Morinë. Është rikthyer sërish në Policinë e Shtetit”, përgjigjet ai, teksa thotë se është bërë një lojë shumë e pistë.

“Ka bashkëpunuar prokurori Deritan Gripshi dhe avokati im Denis Xhelili. Ndoshta edhe disa gjyqtarë”, thotë ai.

Në fund pohon se ende s’ka marrë borxhin nga ky oficer.

“Unë dua lekët e mia të më kthehen mbrapsht. Asnjë gjë, as toka, as karburanti. Unë dua drejtësi”, përfundon ai.