Policia, gati prangat për Dallendyshe Bicin dhe motrën e saj Elona Gogo
Një dosje penale e regjistruar në prokurorinë e Tiranës, ka vënë nën hetim drejtoreshën e Përgjithshme të Hipotekave, Dallëndyshe Bici.
Hetimet ndaj kësaj të fundit dhe motrës së saj, Elona Gogo, janë duke u zhvilluar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Bëhet fjalë për një situatë që ka ndodhur gjatë periudhës kur Dallëndyshe Bici, drejtonte Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe motra e saj, Elona Gogo, drejtonte Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit pranë bashkisë Tiranës.
Dy motrat qëndronin në pozicione kyçe, duke sjellë rakordim me njëra-tjetrën për prishjen e objekteve të ndërtuara në Tiranë.
“Ora News” raporton se deri në këtë fazë ku ndodhet hetimet në pyetje është marrë vetëm Elona Gogo, ndërsa motra e saj Dallëndyshe Bici, ka refuzuar ti përgjigjet pozitivisht ftesës së prokurorisë.
Bici ka gjetur justifikim për të mos u paraqitur në prokurori, duke pretenduar se në datën 30 Tetor, e kishte axhendën e zonë për shkak të impenjimeve me punët e Drejtorisë së Hipotekave.
Njëherësh mësohet se Bici ka kërkuar përjashtimin e prokurorit që po heton çështjen kundër dy motrave. Por emri i Elona Gogos, nuk ndodhet vetëm në këtë çështje penale.
Gogo, rezulton të jetë marrë e pandehur nga SPAK dhe dërguar në gjyq së bashku me Sonila Qaton e ARRSH-së e 8 zyrtarë të tjerë, për akuzën e Shkeljes së pabarazisë dhe pjesëmarrjes në tendera e ankande publike”.
Bëhet fjalë për dosjen nr.175 ku SPAK ka gjetur mjaft shkelje të kryera nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në përcaktimin e fituesit për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Kjo çështje aktualisht është në fazën e gjykimit dhe dosja po ndiqet nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj.