Nëna e Lear Kurtit, të riut që humbi jetën pak ditë më parë teksa ishte shoqëruar nga policia në komisariat, tha në një intervistë në News 24 se i biri kishte parandjenjë që diçka e keqe do t’i ndodhte nga uniformat blu.
Fatmira Mustafa thotë policia e ndalonte shpesh, teksa tregon se para 10 vitesh gjykata e kishte shpallur të pafajshëm në një çështje që kishte.
Kush dyshoni se e ka dhunuar?
Vetëm Policia. Atë e donin të gjithë shokët. Ishte pak nevrik, por shokët ia dinin natyrën dhe e pranonin siç ishte. Leari para 10 vitesh iu mbyll një çështje dhe doli i pafajshëm. i erdhi një letër që duhet të paraqitet në gjyq dhe më tha “duhet me ik jashtë se këta do më plasin brenda”. i thashë rri i qetë se kemi avokat. Më tha “çfarë jete është këtu, ke frikë të dalësh”. Policinë e kishte fobi, e kanë kapur disa herë edhe me shoqen e tij që kishte. Por e ndjente veten të pastër dhe fliste. Ai ishte i dhunuar.
Çfarë kërkoni nga institucionet?
Unë flas dhe ne emër të të gjitha nënave, që çdo të ri që kapin në rrugë, këta policët nuk e di janë të shkolluar, a janë prindër, por i kapin dhe përdorin forcën. Të rinjtë janë të tmerruar dhe prandaj ikin. Policia këtu është bërë e tmerrshme, nuk kanë siguri të rinjtë. Djali më thoshte “mami, po më erdhi e keqja, vetëm nga këta do më vijë”. Më thoshte “nuk më pëlqen kjo botë, ishte njeri me katër gjuhë”. Ai ishte fëmija i gjithë lagjes, të gjithë e donin. Ai nuk e meritonte këtë tmerr.
Keni një apel?
Fëmijët janë të pafajshëm. Të rinjtë e sotëm janë shumë të mirë, por janë të tmerruar dhe nuk kanë siguri këtu. Nuk e mendoja kurrë vdekjen e djalit dhe sidomos në këtë mënyrë.
Ka pasur disa protesta ditët e fundit…
Nuk i kam parë fare. kam qenë shumë i lidhur me çunin. Burrit i thashë “do jemi vetëm ne të dy, unë e di që ai është i dhunuar”. Prandaj kërkova ta shikojmë deri në fund masakrën që i bënë fëmijës.