Aleks Visha, i cili disa ditë më parë publikoi video duke ecur me 305 km/h me mjetin luksoz ‘Lamborghini’ në tunelin e Kalimashit ku rrezikoi jetën e të tjerëve është shoqëruar në polici. Ai u identifikua sot nga efektivët në Tiranë, ku edhe iu komunikua gjoba 100 mijë lekë të reja dhe iu bllokua automjeti.
Visha është justifikuar se nuk po e drejtonte ai mjetin kur miku i tij Kleviol Ahmeti, i njohur si Cllevio Serbiano, po xhironte videon teksa shpëtoi për fije floku pa përplasur makinën që kishin përpara. Megjithatë, Visha nuk e ka marrë seriozisht shoqërimin në polici. Edhe këtë moment e ka filmuar për ta shpërndarë në rrjete sociale.
Përpara kishte motorët e policisë që e drejtonin, teksa po shijonte muzikën në makinë dhe tymoste cigare e përshëndeste qytetarët duke i bërë me 2 gishta.
Pas shoqërimit, Policia Rrugore e Tiranës i ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore.