Policia e Shkodrës ka ndaluar mbrëmjen e djeshme Safet Bajrin, një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në vend.
Në njoftimin e lëshuar nga vetë policia e Shkodrës, thuhet se Bajri pasi është ndaluar, i është vendosur një gjobë, si dhe i kanë sekuestruar makinën e blinduar me të cilën lëvizte, pasi nuk kishte leje të posaçme për të.
Kujtojmë se Bajri u lirua nga burgu me kusht vetëm pak muaj më parë, ndonëse Belgjika e kishte dënuar me 22-vite burg për krim të organizuar si shfrytëzim prostitucioni, trafik kokaine dhe vjedhje në rrethana rënduese.
Njoftimi i Policisë Shkodër:
Shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar.
Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi S. B. alias S. R., banues në fshatin Dobraç, Shkodër, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent.
Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit.