Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh sot se institucioni që drejton edhe mund të mos e kishte bërë njoftimin për nisjen e procedurave për zëvendësimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Por, Xhaçka u justifikua duke argumentuar se kishte rrjedhje informacioni.
“Nisja e procesit të zëvendësimit të ambasadores amerikane, nuk kërkon ndonjë shkencë të madhe për ta ditur, kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori. Për cilindo. Aq më tepër të SHBA-së. Ai njoftim edhe mund të mos ishte bërë.
I kam lexuar ata që thonë mund të mos ishte bërë. Nuk kemi thënë asgjë më shumë, se ajo që u tha në media. Edhe përpara se ky informacion të bëhej i ditur nga ne. Ky informacion ka qenë në ministrinë e Jashtme prej shumë kohësh.
Ne e bëmë të njohur kur kaloi përtej ministrisë së Jashtme, e cila e ka një rol për të dhënë dakordësi për ambasadorët përpara se të akreditohen. Kur ky informacion ka shkuar përtej informacioneve të tjera.
Tek ne kanë filluar telefonatat për informacion dhe teori komploti për lobime. Dhe në këto kushte gjykuam se ishte vendi për t’ua prerë rrugën këtyre thashethemeve. Ishte një gjë e rëndomtë. Nuk do shumë mend për të kalkuluar kur fillon dhe mbaron mandati.
U gjykua që procesi të mos bëhet pis, të thuhej se është konsumuar një mandat dhe ka nisur procesi për zëvendësimin. Ne nuk kemi diskutuar kandidaturat, por u kemi vendosur kapak disa thashethemeve, që procesi ka nisur por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.
I mirëkuptoj edhe kritikët, por nuk mund të pranoj që ky informacion i dhënë përshkruhet nga opozita si sulm ndaj SHBA-së dhe ambasadores” tha ajo.