Sot Sali Berisha me vendim gjykate duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj për shkak të dy masave të sigurisë që janë vendosur kundër tij, detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Kjo procedurë duhet të ndodhë cdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit.
Por çfarë do të bëjë Berisha?
Në momentin që gjykata e Posaçme miratoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai për dosjen e kompleksit Partizani ku ish-kryeministri akuzohet për korrupsion, Berisha ishte i prerë.
“Nuk e shkel kushtetutën dhe nuk do të paraqitem” tha ai duke kërkuar më parë që SPAK t’i drejtohet parlamentit për t’i hequr imunitetin.
Por ditën e premte duket se bëri një hap pas kur tha se “gjithçka do të informoheni në vazhdim”. Zbutja ishte e ndjeshme krahasuar me ditët e kaluara.
Por çfarë ndodh nëse nuk paraqitet?
SPAK-u mund të mos marrë asnjë veprim tjetër kundër tij duke vazhduar procesin në këtë gjendje me dy masa sigurie, por mund të vendosë shoqërimin me forcë ose një tjetër masë shtrënguese më të fortë.
Në rastin konkret do të ishte arrest shtëpie, pasi dy të lehtat janë ezauruar. Por për këtë duhet t’i drejtohet më parë parlamentit.
Avokatët
Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi janë dy avokatët që Sali Berisha ka autorizuar për të ndjekur procesin kundër tij, të cilët e kanë apeluar vendimin e shkallës së parë.
Por duke qenë se bojkotuan përballjen me Irena Gjokën në seancën e njohjes me masën e sigurisë, prokuroria caktoi një avokate tjetër, Valentina Teodoresku, e katërta, pas tre dorëheqjeve.
Për këtë dosje ndodhet në burg dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Biznesmeni Fatmir Bektashi që ndërtoi 17 kullat mbi fushat e kompleksit ndodhet në detyrim paraqitje.