Shtatë muaj më parë, Hueyda El Said ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë prej së cilës vuante prej kohësh.

Ditën e sotme Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka akorduar të ndjerën me titullin “Mjeshtër i Madh”. Nën praninë e njerëzve që deshën dhe vlerësuan shpirtin dhe figurën e Hyedës, përfshirë këtu artistë, aktivistë dhe intelektualë, titulli iu dorëzua bashkëshortit të së ndjerës Thierry dhe djalit të tyre Gabriel.

Teksa ndau këtë moment në rrjetet e tij sociale, Meta shprehu vlerësimin dhe keqardhjen për humbjen e një personi që i dha shumë shoqërisë shqiptare.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Presidentit.

“Mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.

Hueyda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim. Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.

Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry”

Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!”