Një “shembull i përsosur i integrimit”- kështu e përshkruajnë mediat italiane të riun shqiptar, Klajdi Bitri, 23-vjeçari shqiptar i vrarë pasditen e së dielës në Sirolo.

I riu punonte në port dhe ishte i integruar mirë në realitetin e Ankonës, qytetit ku jetonte. Ai u vra në përpjekje për të mbrojtur një mik italian, i cili ishte sulmuar nga i akuzuari dhe më pas arrestuar për krimin.

“Unë dua drejtësi. E pashë vëllain të vdiste para meje, të vrarë me indiferencë totale, pa e kuptuar as pse. Pa pasur kohë për të kuptuar se ai po vdiste. E pashë të zbehej gjithnjë e më shumë, krejt papritur, dhe nuk më përgjigjej më sepse kishte vdekur. I vrarë”,- thotë vëllai i shqiptarit.

I riu kërkon të kthejë trupin e vëllait në Shqipëri, ku jetojnë prindërit e tyre: “Nuk do të mund të vijnë në Itali. Ndihem i detyruar të zgjidh të gjitha dokumentet e nevojshme dhe ta sjell atë në shtëpi”. Dhe përsëri, ai kujton: “Ai nuk ishte vetëm vëllai im, ai ishte edhe babai im. Ai ka punuar gjithmonë dhe vetëm për të më çuar në Itali, për të gjetur një jetë më dinjitoze”.