Dje mbrëma, (27 shtator), Policia e Shtetit nisi një operacion të beftë për të vënë pas hekurave 15 persona, me në krye, një emër të njohur për autoritetet. Ai është Laert Haxhiu, i arrestuar tanimë në Greqi dhe në pritje të procedurave për të bërë ekstradimin në Shqipëri, edhe pse duhet të qartësohet nga autoritetet tona, a do të mund ta tërheqin Laert Haxhiun në Shqipëri.

Por kush është Laert Haxhiu?

Haxhia, është një nga top 5 emrat më të kërkuar të krimit shqiptar në vitet e fundit. Laert Haxhia i njohur në Greqi si Mikis Askalidis, ndërsa autoritetet tona deri në operacionin “Never Forget” e kërkonin për masakrën e Lushnjes. Tashmë ‘Kutia’ u hap dhe Haxhiu është në akuzë për 6 vrasje si porositës dhe organizator kryesor.

Por jo pa rastësi. Në renditjen kronologjike që drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri sot para mediave, bie në sy, koha e vrasjeve. Ngjarjet përkojnë me kohën kur krahu i tij i djathtë… Orges Bilbili ishte në fshehje nga Policia e më pas u arrestua, në periudhën gjatë karantinës 2021. Në mungesë të mikut të tij, Haxhia ka patur si bashkëpunëtor kryesor Artan Tafanin, i cili ka marrë përsipër autorësinë e disa prej ngjarjeve të zbardhura sot nga PSH.

Pika e kthesës në jetën e Laert Haxhiut

Ngjarja që e bëri të njohur për të gjithë publikun Laert Haxhiun është masakra e Lushnjes. Laerti, asokohe vetëm 25 vjeç, ekzekutoi bashkë me shokun e tij, Orgesin, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Shënjestra ishte nipi i Aldo Bares, (Shkurti), Xhulio Shkurti. Më 11 shtator 2017, ata hynë me automatik në krah në një lokal në Lushnje, duke i lënë të vdekur dy të rinjtë, ndërsa shënjestra shpëtoi.

‘Spiderman-i që theu këmbën për t’i shpëtuar policisë dhe miqësia me Orges Bilbilin

Dy personazhe të njohur për autoritetet ligjzbatuese shqiptare. Të përfshirë në vrasje, plagosje, trafik droge dhe kanosje, Laert Haxhiu akuzohet për vrasjne e Gerti Lalës, një prej anëtarëve të bandës së Aldo Bares. Ngjarja ka ndodhur më 8 korrik të vitit 2010, dhe për këtë krim, Haxhiu u dënua me 32 vite burg, por gjykata e Apelit vendosi t’a lirojë për mungesë provash, dhe në vitin 2015 ai fitoi përballë drejtësisë. Por do të zgjaste shumë pak periudha e paqes për Haxhiun. Pasi doli nga burgu në fund të vitit 2014, ai u arrestua në qershor të 2015-ës pasi iu sekuestrua në makinë një sasi prej 1.2 kilogramë heroinë.

Guximi i Haxhiut nuk ishte i pakët, pasi gjatë operacionit për kapjen e tij, ai tentoi të arratisej nga një mur, ku theu dhe këmbën.

Pasi u kap, Haxhiu tha në Polici se mendonte se e ndiqnin njerëzit e Aldo Bares. Por sërish ai ia doli për të qenë i lirë, pasi gjykata e Durrësit, e dënoi vetëm me 17 muaj burg. Po ashtu, Orges Bilbili dhe Laert Haxhiu, janë të dyshuar edhe për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit, ku u plagos edhe Sajmo Xhelili.

PROFIL/ 6 vrasje iu faturuan sot mbi shpinë, kush është Laert

Në çdo informacion që merrej për ta, Policia e Shtetit ishte në këmbë për të kapur 2 të shumë kërkuarit. Madje në shtator të vitit 2018, Reparti RENEA dhe ai i FNSH ndërmorën një operacion për kapjen e Laert Haxhiut dhe Orges Bilbilit në fshatin Rremas në Divjakë, pasi dyshuan se fshiheshin aty. Operacioni jo vetëm që dështoi, por RENEA plagosi një të moshuar, i cili kishte dalë në dritare për të parë se çfarë po ndodhte. Nëse për Haxhiun u angazhuan dy Polici të vendeve të ndryshme për ta prangosur, por Orges Bilbili u arrestua nga rastësia në prill të vitit 2020, kur i gjithë vendi ishte në shtetrrethim prej pandemisë së koronavirusit.  Bilbili ndodhej në zonën e Xhamllikut ku po lëvizte me këmbë kur është pikasur nga polici i Shqiponjave. Bilbili i tha policit se do e qëllonte dhe i drejtoi armën. Në këtë moment, polici pasi e ndoqi me vrap dhe e paralajmëroi derisa më pas e qëlloi në këmbë duke mundësuar kapjen e tij.

Historia e bandës së Lushnjes

Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri atëherë efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”. Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjes.