Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari Behar Bajri për një sërë veprash të rënda penale.

43-vjeçari i ekstraduar, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”.

Policia ka sqaruar të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj Bajrit, pjesë e një grupi kriminal në Shkodër.

Profili i të “fortit” të Shkodrës, ngjarjet që e kanë bërë Behar Bajrin të jetë në qendër të mediave dhe policies shqiptare e ndërkombëtare.

Vrasja e Fabiola Bajrit në gjumë

Behar Bajri akuzohet se e vrau Fabiola Bajrin më 20 qershor 2002 në gjumë. Ata ishin të fejuar prej 3 muajsh, megjithëse Fabiola ishte e mitur. Fejesa ishte bërë me aprovimin e familjes, ndërkohë që pas tri muajsh ai e ka rrëmbyer dhe e ka marrë në shtëpinë e tij.

Sipas të dhënave, vrasja ka ndodhur pasi ajo i ka kërkuar leje për të shkuar diku. Bajri e ka refuzuar dhe ka patur përballë shpërthimin emocional të të miturës. Po të njëjtat burime, sqarojnë se ai akuzohet se e vrau në gjumë me një plumb pas kurrizit.

Pavarësisht se ngjarja u raportua si vetëvrasje, e gjithë Shkodra bën akuzues Behar Bajrin. Pas vrasjes ai iku nga Shqipëria, e po ashtu edhe familja e të resë.

Ata ndiheshin të kërcënuar nga Bajri i cili iu kishte thënë se nëse nuk do të largoheshin, atëherë ai do t’i vriste. Vrasja e të miturës u zbulua nga pozicioni i plumbit që kishte marrë, që ishte poshtë parakrahu.

Ndërkohë që pistoleta, e gjetur në banesën e Bajrit, rezultoi se ishte arma e përdorur në vrasjen e Fabiolës dhe Arben Tuzit.

Skeda e ngjarjeve që rëndojnë mbi Behar Bajrin

43-vjeçari Behar Bajri, me një pamje që ka tërhequr jo pak vëmendjen e mediave, akuzohet për një sërë ngjarjesh kriminale, duke nisur që nga vrasja, vjedhja me armë, grabitje etj.

Vjedhja më 14.01.1999

Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999

Në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 21.03.1999

Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 28.01.2000

Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Me datë 15.02.2001

Në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 26.06.2002

Në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.

Më datë 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Me datë 18.08.2006

Shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Dosja “Metamorfoza” ku përfshihet Behar Bajri

Pas ekstradimit, Bajri do të njihet me akuzat në një seancë të posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, të marrë në mungesë për 5 vepra penale, mes të cilave vrasje me pagesë, grup kriminal.

Ai u arrestua më 4 shtator në një lokal në Strasburg, pasi ishte shpallur në kërkim në muajin korrik 2023 për llogari të dosjes “Metamorfoza”. Autoritetet franceze disa muaj më parë, bashkë me Blegjikën, i vunë në dispozicion SPAK biseda të Bajrit dhe 15 personave të tjerë në hetim, biseda të dekoduara në aplikacionin SkyEÇ, në të cilat tregohen qartë përgatitjet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit nga këta, asnjë i ekzekutuar.

Biznesmeni i dosjes Metamorfoza Pëllumb Gjoka, i arrestuar, ka porositur Bajrin të vrasë Kleanth Musabelliun, por sipas përgjimeve, Behar Bajri bisderoi me Ervis Martinajn, bosin e zhdukur të lojërave të fatit, dhe ndërruan objektivët.

Bajri vrau Gjin Boriçin në Vau Dejës ndërsa Martinaj dështoi të ekzekutojë Kleanth Musabelliun, pasi shënjestra kuptoi planin. Në dosjen voluminoze janë të përfshirë edhe ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita, i njëjti që i dha liri Behar Bajrit në 2019-ën.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj Bajrit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.

Njoftimi i policisë

Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë, një i shumëkërkuar për një sërë veprash të rënda penale.

43-vjeçari i ekstraduar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të kryejnë dënimin, u ekstradua në Shqipëri, shtetasi shqiptar:

B. B. (B. R. alias B. B.), 43 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas u kap dhe u arrestua në Francë, në muajin shtator, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij.

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.

Shtetasi B. B. dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi B. B., kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe.