Talat Xhaferi, hyri sot në histori teksa u bë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ai njihet për kontributin në politikë, por ka një rol të madh edhe në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së.
Më poshtë ju njohim me profilin e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Profili i Talat Xhaferit:
Talat Xhaferi lindi më 15 Prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Shkollimin fillor e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa pas kësaj shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak.
Më tutje vazhdoi karrierën e formësimit ushtarak, kështu që u regjistrua dhe studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë të APJ, drejtimi këmbësori, në Beograd dhe më pas Sarajevë.
Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj.
Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lartë dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 Prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferi braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën ‘komandant Forina’.
Xhaferi u zgjodh për herë të parë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2002 për partinë e BDI-së. Në vitet 2004-2006 Xhaferi ishte Zëvendës Ministër i Mbrojtjes.
Nga viti 2008 deri në vitin 2013 Xhaferi ishte deputet i Maqedonisë së Veriut për partinë e BDI-së, aleate me partinë konservatore VMRO-DPMNE.
Në vitin 2013, Xhaferi u emërua nga BDI-ja për Ministrinë e Mbrojtjes në Kabinetin e Nikola Gruevskit, pas dorëheqjes së anëtarit të partisë Fatmir Besimi, kjo shkaktoi protesta.
Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij ishte që forcat e armatosura “të ishin simbol i bashkëjetesës, tolerancës dhe respektit për dallimet”.
Në Prill 2017, Xhaferi u emërua kryetar i Parlamentit maqedonas nga një koalicion i partive të pakicës shqiptare dhe partisë socialdemokrate opozitare në atë kohë (LSDM), duke shkaktuar trazira në ndërtesën e parlamentit.