Kryeministri Rama tha se mungesa e reshjeve do të na bëjë që të përballemi me mungesë prodhimi të energjisë elektrike gjatë muajve në vijim, duke bërë që të qeveria të detyrohet ta blejë atë në treg me çmime shumë të larta.
Rama tha se niveli i hidrocentraleve ka shkuar pranë nivelit teknik dhe do të duhet të ndërpritet prodhimi.
“Kemi kohë të gjatë pa rënë shi, ndërkohë që digat tashmë janë pranë nivelit teknik dhe ekspertët thonë se kur shkon në këtë nivel digat duhet të stopojnë. Kriza ka dhënë shenjat më herët, dhe tani jemi në mars dhe të gjithë vapën e kemi para. Kjo do të na bëjë të shkundim të gjithë buxhetin për të blerë energji elektrike me çmime marramendëve që të mos ngarkoheni ju. Kush do ta pranonte që t’i vinte fatura më shumë se dyfish, por mund të vijë edhe trefish”, tha Rama duke shtuar se prandaj nuk mund të ulen taksat, të cilat sipas tij do të përdoren për investime të tjera.
“Idea që hiqni taksat e naftës, është e lehtë për ta thënë, por llogaria bëhet me të gjithë. Nëse heqim taksat e naftës nuk kemi se çfarë të kompensojmë pjesën tjetër. Ne kemi bërë zgjedhjen tonë. Kush goditet nga taksat e naftës? Goditën ata që kanë vetura. Ata që kanë vetura kanë më shumë lekë se ata që s’kanë. Ne po subvencionojmë çmimin e biletës që të mos rritet çmimi. Goditen fermerët. Kjo është e vërtetë. Dhe prandaj kemi një fond që fermerët të marrin një sasi nafte që të mos kenë probleme”, tha Rama.