Sipas akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës, ish-presidenti akuzohet se ka përdorur ndikimin e tij mbi zyrtarë për të ndihmuar kompaninë “Unifi Communications INC” të nënshkruajë një marrëveshje interkonjeksioni me një kompani telefonike.
Sipas SPAK Meta dhe Kryemadhi kanë shfrytëzuar postet e tyre në politikë dhe kanë bashkëpunuar me biznesmenë për të përfituar të ardhura.
Në një nga rastet Meta në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “Unifi Communications INC” dhe një kompanie telefonike.
Kjo marrëveshje përfshin një bashkëpunim mes dy kompanive private, por në fakt nuk ka sjellë ndonjë dëm financiar për buxhetin e shtetit apo qytetarët. Aktiviteti i saj ka konsistuar në blerjen e minutave nga këto kompani dhe shitjen e tyre jashtë vendit, ose blerjen e minutave jashtë dhe shitjen në Shqipëri.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme çifti ka përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Personi nën hetim Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Meta dhe Kryemadhi, jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike për finalizimin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Sipas akuzës, administratori i kompanisë, Adrian Shatku, i ka ofruar kartë krediti Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në këmbim të kësaj ndihme.
Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Metës është se nuk është ofruar ndonjë provë konkrete që tregon se si ai e ka favorizuar kompaninë në mënyrë të paligjshme, duke e bërë të vështirë klasifikimin e veprës si korrupsion.
Pjesë nga dosja SPAK:
“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit. Personi nën hetim Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.
“Ilir Meta s’ka paguar asnjëherë në jetë të vet asnjë shishe ujë”, kështu deklaroi sot deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Kryemadhi u pyet nga gazetarët për këtë marrëveshje, por deputetja e mohoi dhe tha se kjo nuk është në dosje.