Nga Edi Rama*

E nderuar Asamble Kombëtare, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është ngritur në një nivel të ri, ka plot arsye që e pohojnë këtë të vërtetë, por dy janë pohimet më të mëdha të saj. E para, sezoni i jashtëzakonshëm turistik i këtij viti, e dyta impakti i pazakonshëm i organeve të reja të drejtësisë në këtë periudhë progresi tërësor të vendit tonë.

Të kuptohemi drejt qysh në fillim; ky është vetëm një fillim i ri nga një nivel i ri, nuk është maja ku duam të arrijmë në fund të kësaj dekade. Rruga drejt asaj maje, Shqipëria 2030, është ende e përpjetë, sfidat për të arritur atje janë edhe më të mëdha. Sa më shumë bëjmë progres aq më shumë rritet nevoja për dije, veti orientuese, fuqizim politik e institucional dhe aftësi, cilësi e shpejtësi vendimmarrëse.

Kur kthejmë kokën pas, kemi njëmijë e një arsye për të qenë krenarë për rrugën që kemi bërë.

Shqipëria e 10 viteve më parë kishte po këto dete, po këto male, po ato lumenj e po ato hire të bukura përgjatë gjithë trupit të saj nga Thethi në Konispol, por nuk ishte një destinacion turistik europian. Turistët më europianë që vinin në këtë vend ishin emigrantët shqiptarë dhe shqiptarët nga Prishtina apo Tetova. Për të tjerët, Shqipëria ishte sinonim i pasigurisë, plehrave dhe prapambetjes, një lloj vendi i botës së tretë në mes të Evropës.

Në pasqyrat e shtypit botëror, lajmet e mira për Shqipërinë ishin si pika uji në shkretëtirë, ndërsa për turistët e paktë që vinin kryesisht nga vendet ish komuniste, ky ishte një vend zhgënjyes për të mos u kthyer më për pushime.

Industria jonë turistike ishte inekzistente, shërbimet ishin thjesht dhe vetëm fryt i përpjekjeve të mundimshme të njerëzve më punëtorë e më kurajozët e këtij vendi, të cilët mes pluhurit, gropave dhe gjobaxhinjve të shtetit, me dhe pa uniform, bashkë me rrugaçët e zonës përpiqeshin të bënin sa dinin dhe sa mundeshin që të nxirrnin dhjam nga pleshti i turizmit shqiptar.

Këtë vit, qysh në pranverë, nuk ka pasur javë që të mos jetë shkruar për Shqipërinë turistike ndërsa këtë verë kronikat në gazeta me prestigj botëror apo në faqet e shtypit lokal të botës perëndimore, në kanalet kombëtare televizive të vendeve më të mëdha të Evropës apo në ekranet e televizioneve publikeve të vendeve të rajonit tonë e bombarduan publikun e tyre me tone plot simpati për shpërthimin turistik të Shqipërisë.

Korça, Berati dhe Gjirokastra, por dhe të tjera qytete jobregdetare të Shqipërisë aty ishin edhe para 10 vjetësh, por turizmi ishte një kockë pa mish në pjatën e ekonomisë së tyre.

Në Korçë kishte vetëm një hotel dhe ndonjë bujtinkë të varfër, në Berat nuk shkohej dot se nuk kishte as rrugë për ata që nuk kishin dy palë veshka kur hynin tek kthesa e Lushnjës kurse për të fjetur ishte laj e thaj Hotel Tomorri, legjendar i vjetër buzë Osumit, me një qeleshe në majë si shenja e vetme e hyrjes së kapitalizmit në qytetin e njëmijë e një dritareve.

Në Gjirokastër copë-copë po ashtu. Pa folur fare për të tjera qytete ku sezoni i verës sillte vetëm emigrantët më të përmalluar, ndërkohë që qeveria numëronte për turist edhe kryeministrin kur kthehej në Rinas nga vizitat jashtë shtetit.

Rritja e vazhdueshme e kësaj dekade të parë të qeverisjes sonë, me këmbëngulje dhe me durim hap pas hapi, mbi pëlhurën e re të Rilindjes Urbane kulmoi këtë vit me një bum të vërtetë turistik në Korçë, Berat dhe Gjirokastër.

Kjo erë e re që fryu këtë sezon për turizmin nga të katërta anët u ndje modestisht edhe në qytete të tjera larg bregdetit ku deri disa vite më parë as që imagjinohej turizëm në të gjallën tonë.

Kur unë, fjala vjen, flisja në ato fillime të Rilindjes Urbane për Tepelenën turistike, më besonte vetëm Tërmeti dhe Goliku, i cili më shumë më kishte si motiv për të mbledhur polifonistët për këngën e tij të radhës sesa të besonte vërtetë që do shihte vajza norvegjeze dhe djem spanjollë duke shëtitur në xhepin falco të qytetit të harruar të Ali Pashës. Kurse këtë verë, poshtë tek Uji i Ftohtë i Tepelenës apo tutje lart në Nivicë, tek Eco-Campi i suedezëve shkohet vetëm me rezervime ndërkohë që tutje tu, lart e poshtë rrugës së re të Kuçit e cila zbret deri në Himarë ndesheshe gjatë sezonit me njerëz që të përshëndesnin në gjuhë të huaja nga makina, motori e biçikleta.

Tirana, kryeqyteti ynë i betonizuar dhe i mbytur nën hijen e kullave të krimit ku dëgjohen përditë e përnatë, tash 10 vjet kujet e vajtojcave të bulevardit   politik e mediatik, të cilët të këpusin shpirtin me kujisjet e tyre “Këtu nuk punohet, por vetëm pastrohen para të pista”, këtu nuk jetohet nga trafiku e zhurma”, “këtu nuk merret dot frymë nga ajri më i ndotur në botë”, kryeqyteti që deri dje, kur vinte korriku banohej vetëm nga punonjësit e shtetit dhe nga ata që nuk kishin makinë për të ikur në Durrës, kurse kur vinte gushti shkretohej fare dhe binin në pikiatë të ardhurat nga shërbimet, këtë vit u pushtua nga turistët.

Rrugë më rrugë e shtëpi në shtëpi, duke sjellë një lumë të pataksuar parash, direkt në arkën e familjeve nga apartamentet e dhomat e dhëna me qera përmes sistemit AirBNB, një fenomen i ri ky i zhvillimit të Shqipërisë turistike, i qeradhënies masive për turistët, me shtrirje përgjatë krejt vijës bregdetare, por edhe gjetkë, nga Shkodra në Përmet e deri në Kolonjë, madje në zonën informale të Kumes në Vlorë ku deri dje balta hynte në shtëpi dhe ujërat e zeza ishin të vetmet që dilnin serbes nga dera e shtëpive, këtë herë hynin e dilnin në rrugët e sistemuara, në lagjen e rilindur, turistë që kishin marrë dhoma me qera.

Aeroporti i Tiranës, gati njësoj apo dhe më shumë, mbase, në numër pasagjerësh, – të shikojmë deri në fund të vitit – sesa aeroporti i Beogradit! Kush mund ta imagjinonte dot këtë 10 vjet më parë, kur ai tjetri, mbreti i aeroporteve të rajonit tonë, qysh kur aviacioni hyri edhe në Ballkanin e prapambetur, mund t’ia linte fronin Rinasit që me shumë gjasë do të kapërcehej  mbi kufirin e 6 milionë pasagjerëve këtë vit. Po të mbash parasysh se kur andej në kryeqndrën e Jugosllavisë uleshin turistë nga e tërë Europa, në Rinas zbrisnin vetëm një grup “marsianësh’’ të levizjes marksiste-leniniste që e mbanin Enver Hoxhen për ‘’Mesian’’ e fundit të barazisë proletare mbi tokë dhe po të mendosh se në këto 10 vjet e kemi gjashtëfishuar numrin e pasagjerëve në aeroportin e Tiranës, atëherë ka vetëm një fjalë të vetme në lartësinë e kësaj arritjeje, fantastike.

Nga koha e disa fluturimeve në Rinas deri në 10 vjet më parë, tek  mbi 200 fluturime në ditë që e mbajnë aeroportin hapur 24 orë, për të shërbyer përgjatë këtij sezoni që ende nuk ka mbaruar, duket sikur kanë kaluar 100 vjet.

A jam gëzuar? Po jam shumë. Po i lumtur a jam? Jo, nuk jam fare. Sepse kur di për shembull, një shembull në shumë të tjerë që Majorca ka 1 milionë banorë dhe ka 18 milionë turistë, atëherë s’mund të jem dot i lumtur e megjithatë s’mund të mos jem dot i gëzuar  kur mendoj se aty ishin deri dje edhe Sahati, edhe Skëndërbeu, edhe Univesiteti, edhe Muzeu, edhe Kisha, edhe Xhamia, madje dhe liri-demokracia aty ishte, bashkë me paratë e qeverisë që derdheshin kot për t’i bërë reklamë Shqipërisë në CNN. Po Tirana dhe Shqipëria sot kanë hyrë në hartën turistike të Europës pa shpenzuar asnjë qindarkë për reklama mediatike, ndërsa për Shqipërinë dhe kryeqytetin e saj flasin keq dhe zi vetëm shqipfolësit pa din dhe pa iman të këtij vendi, të cilët mua dhe ju, këtë parti na duan të vdekur kaq shumë sa i bien mbarë e prapë Shqipërisë, duke ua nxirë jetën shqiptarëve që  i dëgjojnë apo kanë akoma nerva t’i lexojnë, duke lënë pa gojë të huajt, kur këtyre ua do puna apo i bie rasti t’i pyesin se ç’mendojnë këta përqeshësh gjuhëjashtë për vendin  e tyre.

Ndërsa miliona e miliona turistët nga tërë Europa e të tjerë nga Amerika e deri te grupe nga Australia vijnë buzëqeshur nga kurioziteti dhe largohen të qeshur nga mikpritja, ushqimi, pastërtia, kultura  dhe patjetër dhe hiret e mahnitshme të këtij vendi të vogël ku në pak territor gjen aq shumë bukurira të larmishme natyrore sa të gjithë thonë “dua të kthehem përsëri’’.

Dhe po, gjejnë edhe një siguri mbresëlënëse në këtë vend që s’ka asnjë lidhje me  legjendat e zymta për Shqipërinë e pasigurtë. Të habitur krejt disa miq anglezë më çuan hartën e shifrave të vjedhjes së shtëpive në Europë, ku Shqipëria ishte në vendin e fundit në nvielin më të ulët, ndërsa Britania e Madhe në vendin e parë me shfirën më të lartë.

Dhe më e lezetshmja ishte se kur kishin pyetur dikë nga këta të paudhët tanë ‘’si ka mundësi’’, ky kishte thënë “epo s’ke ça vjedh në shtëpitë e shqiptarëve ku s’ka as bukë për të ngrënë’’.  Ndërsa kur kishin pyetur një ‘’kompetent’’ atje në vendin e tyre, ai kishte thënë :” Eh, kanë ardhur shqiptarët, prandaj vidhen shtëpitë në Britani më shumë se kudo tjetër në Europë’’

Ç’e pyet apo “mos e vet hiç” siç thonë në Kosovë. S’po zgjatem  me vrasjet që, jo vetëm kanë rënë përsëri në minimumin historik siç ka ndodhur çdo vit të qeverises sonë, krahasuar me të mëparshim, por këtë vit deri tani si tetëmujor kanë shënuar rënien më të lartë historike vit më  vit, 40% viktima më pak se vjet kur kishim numrin më të ulët të viktimave në 3 dekada.

Gjithësesi mendje, mendje është kjo dynja, por për mua, për ne, që jemi mbledhur sot këtu, më  e bukura e kësaj kohe lirie dhe përpjekjeje të pandërprerë për ta futur përfundimisht Shqipërinë  në hartën e Europës politike, ekonomike dhe turistike  është se edhe ata thuajse 1 milionë shqiptarë që na besojnë  ne me votë, bashkë me ata miliona të tjerë që na mbështesin nga larg, edhe ata miliona e miliona të huaj që po e vizitojnë  çdo vit e më shumë këtë vend,  falë punës këmbëngulëse të kësaj qeverie, të bashkive tona e të qidra-mijëra shqiptarëve që investojnë, punësojnë të tjerë në sipërmarrjet e tyre apo vetëpunësohen familjaristh në biznese e tyre të vogla, por edhe ata që na duan të vdekur, mua bashkë me këtë forcë udhëheqëse për Shqipërinë europiane, e nuk lënë pisllëk pa nxjerrrë nga goja dhe katran pa hedhur në fytyrën e Shqipërisë, madje, madje dhe ata kompetentë të huaj që duan t’i shohin shqiptarët si fajtorët për problemeet e vendit të tyre kur s’janë në gjendje që t’i zgjidhin ato, janë të gjithë bashkë një shtysë e jashtëzakonshme, e pazëvendësueshme, një shtysë thelbësore për të ecur vetëm përpara, por ama me këmbët në tokë, me zemrën dhe me mendjen  në vend, më sytë hapur për të hedhur hapat e duhur, duke parë nga e ardhmja dhe pa e humbur nga vëmendja të shkuarën, për të lexuar e për të kuptuar si duhet realietin e së tashmes. Ky realitet është ku e ku më i mirë sesa i së djeshmes, por është ku e ku më problematik sesa ai i së ardhmes që duhet më çdo kusht të ndërtojmë për gjeneratën tjetër.

Prandaj dhe detyra jonë më kryesore, është ta ngulisim në kokë gjithnjë e më  fort se korrigjimi i së tashmes është arsyeja e ekzistencës sonë politike, nevoja që ushqen besimin e atyre që na votojnë, domosdoshmëria që duhet ta ushqejë pa pushim organizatën tonë, organizmin tonë politik dhe qeverisë.

Për shembull, korrigjimi i së tashmes së “Maldiveve të Europës’’, siç na pagëzuan këtë vit të huajt që deri dje na quanin ‘’shpella e Europës’’, kërkon me patjetër që askush të mos i mbyllë sytë përpara problemeve serioze për të zgjidhur. Janë shumë, po fjala vjen, nga infrastruktura e Ksamilit, i cili u bë këtë vit simboli i Shqipërisë në mbarë mediat e huaja e me radhë në disa pika të tjerë të rëndësishme të suksesit të këtij nga Shkodra e Lezha apo nga Lezha e Shkodra, që mos hyjmë në konflikt me policinë deri në Durrës dhe Sarandë. Korrigjimi i së tashmes kërkon për shembull që askush prej nesh të mos  mbyllë hundët përpara gropave septike qe mbledhun ujërat e zeza të jo 1 e 2, po fatkeqësisht të jo pak hoteleve dhe resorteve turistike përgjatë vijës sonë bregdetare. Korrigjimi së tashmes kërkon që kjo forcë qeverisëse të mos i mbyllë asnjë minutë veshët, shëmbull tjetër përpara kërkesës gjithnjë e më të madhe për shërbime cilësore dhe për krah punë të kualifikuar. Korrigjimi i së tashmes kërkon që askush prej nesh të mos e lërë për nesër punën e sotme në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, për të bërë çdo gjë të domosdoshme për Shqipërinë turistike 2030, në të gjitha frontet; në parlament, ku duhet të veprojmë shpejt dhe drejtë për përmirësimin e legjislaiconit për investimet, për një reformë agresive në funksion të arsimit profesioonal të të rinjve dhe për edukimin në vazhdim të forcave të tjera të punës.

Në këtë industri të re për nxitjen e angazhimit të krahut të kualifikuar të punës së emigrantëve, në këshillat bashkiak për forcimin e rregullit, në mbajtjen pastër të Shqipërisë dhe për rritjen cilësisht të shërbimeve në çdo lokalitet. Ashtu sikurse, në qeverinë qendrore dhe atë vendore kur duhen nxjerrë shpejt dhe mirë mësimet e këtij sezoni fantastik, për të bashkëvepruar frontalisht nëse nuk duam që vitin tjetër dhe tjetrin më tutje ky vend të mos bëhet viktima e suksesit të këtij viti.

5 vitet që kemi përpara do të jenë një provë e vërtetë zjarri për Shqipërinë turistike. Qysh vitin tjetër duhet të përballemi me një kërkesë shumë më të lartë se e sivjetshmja edhe në sasi, por edhe në cilësi.

E nëse në këtë fazë të re nuk do jemi të lartësinë e pritshmërisë së rritur të botës ndaj nesh, atëherë ky nam i mirë që kemi marrë sot do të na kthehet në boomerang dhe do të na hajë të gjallë më shpejtë se vonë konkurrenca e pamëshirshme e këtij  pellgu të Mesdheut, ku ne sapo kemi futur këmbët në super ligue, ndërkohë që të tjerët rreth e rrotull kanë shumë e shumë vite që luajnë për kupën.

Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është numri marramendës i turistëve, por afirmimi ndërkombëtar  i Shqipërisë së kthyer në destinacion europian. Ky lajm i shumëpritur tregon se këtij vendi i është zbardhur një herë e mirë faqja e nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.

E shkuar e ngarkuar me fajet e pashmangshme të daljes në liri pas izolimit ekstrem në burgun e komunizmit.

E shkuara e ngjyer me atë bojën e murrme të paragjykimeve të botës, të cilat e grushtuan dhe e shqelmuan këtë vend në rrugën e stërmundimshme të ngritjes në këmbë pas ngritjes nga varri i diktaturës dhe e përndoqën si hije çdo shqiptar rrugëve të Europës.

E shkuar e helmatisur nga soji ynë më i keq, ai që e përndjek Shqipërinë prej më shumë se një shekulli, qysh prej ditës së parë të krijimit të shtetit tonë, në luftë qorre për t’ja gërryer sytë tjetrit për pushtet, para, lavdi dhe tangërllëk provincial, natyrisht gjithmonë në emër të atdheut dhe të flamurit patjetër.

Shqipërisë sot i ka ardhur çehrja në vend në sytë e botës. Flamuri ynë ka fituar respekt kudo ku ngrihet në arenën ndërkombëtare.

Pas pak ditësh e gjithë bota do të mblidhte në New York për Asamblenë e Përgjithshme vjetore të Kombeve të Bashkuara dhe Shqipëria do të jetë në krye të tryezës të Këshillit të Sigurimit me krenarinë  e shtetit që për herë të parë në historinë  e vet ka Presidencën e atij Këshilli ku ulen më të mëdhenjtë e kësaj bote.

Por e gjitha kjo situatë e re e Shqipërisë nuk është pikëmbërritja jonë. Kjo është vetëm pasqyra e një fushë mbërritjeje të re, pas një të përpjete të gjatë e të mundimshme, dëshmitarë të cilës jemi të gjithë bashkë, e cila na shërben, jo për t’u ulur e kënaqur duke parë veten, por vetëm për të vazhduar ngjitjen nga një pikënisje e re. Duke parë në sy gjithë të metat dhe problemet që kërkojnë adresim. Detyra jonë tani është, jo vetëm ta forcojmë më tej imazhin e ri të vendit, por dhe ta kthejmë atë në një kapital të ri për transformimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Ne nuk mund dhe nuk duhet të jemi vendi ekskluziv i turizmit masiv, i cili me të mirat e veta të mëdha  në stadin e sotëm mund të na sjellë kosto krejt të paarsyeshme nesër, nëse nuk e diversifikojmë ofertën turistike te Shqipërisë. Rreziku i humbjes së ekuilibrit mes të ardhurave që turizmi masiv sjell dhe shpenzimeve në rritje që ai kërkon vijimesisht për shembull për përballimin e impaktit të tij mjedisor është një kërcenim real për të nesërmen me të cilin duhet të merremi sot.

Këtë vit turizimi masiv i ka sjellë vendit sidomos familjeve të përfshira në zinxhirin turistik shumë të ardhura. Por kujdes sepse do të ishte fatale mos ta mbanim shumë parasysh se ky lloj turizmi i konsumit mesatar dhe të ulët nuk duhet të jetë kurrsesi i vetmi burim të ardhurash nga Shqipëria turistike, përkundrazi shpërthimi i tij duhet të jetë, jo vetëm një bori fitoreje dhe një sirenë alarmi si ato të zboreve në fushë për t’u zgjuar më herët dhe për të ecur shumë më shpejt me krijimin e burimit tjetër ende të munguar që i sjell vendeve të ardhura shumë më të qenësishme nga kjo industri. Ky burim është burimi i konsumit të lartë që shpenzon në një vend shumëfishin e të ardhurave për frymë turisti  dhe zë më pak vend fizikisht me një impakt shumë herë më të vogël nga pikëpamja mjedisore.

Portet turistike janë themelore për krijimin e këtij burimi. Sot eshte edhe më e qartë se dje. infrastruktura e re aeroportuale gjithashtu sot është edhe më e qartë se dje. Këto po ecin dhe pse jo kudo me ritmet më të larta të mundshme. Për arsye objektive, por fatkeqësisht edhe për ndonjë jashtë vullnetit të qeverisë, siç është rasti i pashpjegueshëm  i portit të ri turistik të Sarandës. Gjithsesi, në ndërkohë që kjo infrastrukturë e re e industrisë së turizmit po ndërtohet dhe zinxhiri i hoteleve me 5 yje që lindi si rezultat i impaktit të Rilindjes Urbane dhe i kuadrit të ri të investimeve strategjike po zgjatet hap pas hapi, duhen ndërtuar dhe resortet hoteliere me 5 yje, duke u fokusuar, jo vetëm në bregdet ku fatmirësisht kemi kërkesa shumë domethënëse, por edhe hapjen patjetër ne shtegun e turizmit malor, ku Shqipëria ka një tjetër potencial të madh të pashfrytëzuar për konsumatorët me të ardhura te larta nga mbarë bota.

Kjo është rruga e re që duhet të çajmë tani më angazhim dhe me këmbëngulje të madhe në mënyrë qe brenda kësaj dekade të kemi vendosur ekuilibrin e domosdoshëm të kësaj industrie të re me mundësira të jashtëzakonshme dhe të kemi garantuar një hyrje, jo vetëm shumë më të madhe parash në ekonominë tonë kombëtare dhe në ekonominë e familjeve shqiptare, por dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të saj, duke balancuar raportin e turizmit me të ardhurat në ekonomi dhe me mjedisin gjithashtu.

Në këtë dekadë vendoset lartësia e profilit të Shqipërisë të 30-40 viteve, jo vetëm në këtë drejtim, por në çdo drejtim,Shqipëria duhet të bëhet se s’bën vendi europian i denjë për bukuritë dhe për pasuritë që i ka falur Zoti e për çfarë ka trashëguar nga kultura e vet mijëravjeçare dhe ne duhet të synojmë me ambicien më të madhe majat e industrisë turistike boterore, brandet e ekselencës, investimet super cilësore qindra milionëshe, por edhe mbi kufirin e miliardshit në euro. Ja pse ne duhet të forcojmë në radhë të parë vetëdijen tonë qeverisëse për nevojën e një shpejtësie të përgjegjshme dhe jo e një përgjegjshmërie të avashtë vendimmarrëse. Në përpjekjen jetike për të rritur shpejtësinë, ne nuk duhet t’i harrojmë asnjë çast ata që do ta trashëgojnë nesër këtë vend, një Shqipëri të kamur sigurisht, por me patjetër të mbrojtur në hiret magjepsëse që i ka dhuruar Perëndia. Ne duhet të jemi vendi i ekselencës në mikpritjen e investitorëve që sjellin kapital të rëndësishëm financiar dhe dijet më të përparuara të industrisë botërore të turizmit, ndërkohë që duhet të rrisim menjëherë kërkesën e cilësisë ndaj investitorëve vendas

Këta të dytët kanë bërë shumë deri këtu, po kjo është një pikë kthese e re ku edhe prej tyre ne duhet të kërkojmë maksimumin europian. Jo thjesht, hajde mirë për momentin ‘’buono per Albania’’ dhe pastaj bëhen hotele me mermer brenda, por harrojnë të bëjnë dhe depuratorin e ujrave të tyre të zeza se helbete, në mëngjes mjaltin e luleve të egra e shërben hoteli, kurse largimin e luleshtrydheve njerëzore duhet ta bëjë shteti.

Për të gjithë investitorët seriozë, të huaj apo vendas ne duhet të hapim pa humbur më asnjë sekondë një kapitull të ri ku zinxhiri torturues burokratik i ligjeve, i VKM-ve, urdhrave të mbivendosur vite pas vitesh si shtresa arkeologjike të qeverisjeve duhet të kthehet në një qilim rregullash të forta, të qarta dhe të thjeshta për të ecur drejt dhe shpejt në rrugën e thithjes së investimeve serioze.

Edhe statusi aktual i investitorit strategjik duhet të ndryshojë bashkë me ato dopio statuset përkatëse dhe me hallkat e trajtimit të aplikimeve. Kuadri ekzistues e ka kryer misionin e vet për të stimuluar investime akullthyese në një vend ku turizmi ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe altoparlantë me muzikë dasmash që e bënin vapën bashkë me mungesën e kudondodhur të ujit, edhe më të padurueshme.

Tani që akulli është thyer dhe Shqipëria nuk është më vendi ku nuk qasej dot as me mendje, jo më të hidhte këmbën një brand ndërkombëtar i industrisë së turizmit, steka duhet ngritur shumë më lart! Menjëherë!

Shqipëria 2030, kampione e rajonit në turizëm duhet të zotërojë një ofertë optimale, e cila bazohet në larminë e zgjedhjeve dhe tërheq, jo vetëm turistin Italian, i cili vjen nga Puglia se këtu është lirë, por edhe turistin e shtresës më të lartë nga Europa dhe nga gjithë bota që vjen këtu për të shpenzuar, njësoj siç shpenzon në Maldive. Se vetëm kështu do ta fuqizojmë zinxhirin ekonomik të turizmit. Do të fusim shumë më shumë të ardhurave në ekonominë tonë prodhuese. Do stimulojmë prodhimin e fermave dhe do garantojmë vijimësisht vende të reja pune me paga të larta për njerëzit tanë.

Edhe kapitulli i ndërtimit të fshatrave turistikë pa hoteleri, ose një hoteli që rri aty sa për figurë mes qindra vilave për shitje, duhet të shpallet, jo vetëm gojarisht, por edhe shkresërisht një kapitull i mbyllur.

Mos harrojmë ky vend nuk është 200 mijë km katrorë, por është 10 herë më i vogël se aq. Prandaj, fshatrat turistikë me shtëpi prapanicë më prapanicë, si shembull luksi, duhet të konsiderohen histori nga këndvështrimi i këtij niveli të ri, ku është ngritur Shqipëria dhe nga këndvështrimi i majës ku Shqipëria duhet të ngjitet.

Ky vend, duhet të nxjerrë më shumë nga turizmi, jo duke ndërtuar akoma më shumë, po duke ndërtuar shumë më mirë akoma. Ndërtimet e reja duhet të përmbushin kritere dhe kërkesa të reja në përputhje, jo me nevojat e konkurencës së rritur deri më sot nga gara mes Gjirit të Lalëzit dhe Palasës, po me nevojat e konkurencës nesër ku vendi ynë do duhet të rezistojë në fashën e parë të destinacioneve me ‘’nam’’ të Europës mesdhetare ose përndryshe, do të bjerë dhe do të mbetet pa kthim në fashën e dytë.

Me siguri, shumëkush do të thotë pse kaq gjatë për turizmin se kjo nuk është një konferencë për turizmin.

Në fakt, as kjo e imja nuk është një fjalë për turizmin, të cilit do t’i kushtojmë vëmendje shumë të posaçme së bashku me ministren dhe deputetët, me kryetarët e bashkive, me gjithë kabinetin qeveritar për të shpallur dhe për të diskutuar objektiva afatmesme si dhe objektivat konkretë për sezonin e ardhshëm.

Arsyeja pse u zgjata në turizmin, ka të bëjë nga njëra anë me faktin se ky moment ngritje i këtij sektori, është një pohim i madh që askush nuk e mohon dot, i të vërtetës që Shqipëria është ngritur në një nivel të ri dhe nga ana tjetër, ka të bëjë me domosdoshmërinë strategjike për të kuptuar edhe si edhe pse arritjet e sotme, si këtu edhe në çdo sektor më pak të bujshëm, duhet të jenë për ne një stimul i madh për të arritur më shumë nesër, por në asnjë mënyrë një shtysë për të fjetur mbi dafina, duke harruar sesa larg jemi akoma nga maja që synojmë.

Pohimi tjetër i madh, siç e preka dhe në krye të kësaj fjale, i ngritjes së Shqipërisë në një nivel të ri, është impakti i pazakonshëm i organeve të reja të drejtësisë në rrugën e progresit tërësor të vendit. Në mbledhjen e shkuar ju fola gjerë, troç, me dyer të mbyllura për këtë, po edhe ju thashë që nuk do të rresht së përsërituri disa gjëra deri në bezdi, sa herë do bëhet fjalë për aktivitetin e këtyre organeve sidomos të SPAK-ut. Kështu që, ndjesë për bezdinë që vijon.

Shikoje me kujdes se çfarë po diskutohet aktualisht mes nesh dhe Greqisë. Apo më saktë, se çfarë pala greke po kërkon prej nesh, prej qeverisë, prej meje personalisht. Pse ndodh kjo dhe si ka mundësi që pala greke nuk dëgjon asnjë argument, por vetëm këmbëngul që siç shprehen ata, vullneti ynë politik duhet ta zgjidhë siç e mendojnë ata, një çështje për të cilën këto organe të reja të drejtësisë i kanë ndërmarrë veprimet e tyre dhe kanë dhënë vendime të tyret pavarësisht nga ne, dhe nga ata po se po.

Nuk dua të përsëris këtu çfarë kam thënë publikisht në mënyrë shteruese besoj, për çështjen në vetvete. S’kam asgjë të re për të thënë dhe ne s’kemi asnjë debat real për të zhviluar me palën greke për thelbin e çështjes, por e nisa këtu sepse kjo qasje e palës greke, tregon në fakt se raporti i ri i përmbysur kokë e këmbë i pushtetit politik, më saktë i pushtetit tonë politik me drejtësinë, po kalon përmes një sprove shumë të fortë qasja jonë është radikalisht e re në historinë e pushtetit politik në Shqipëri dhe për të mos u përzier as me gojë, e jo më me dorë në punën e organeve të drejtësisë, por për t’i mbështetur dhe inkurajuar ato, pa kushte. Pa ‘’pse’’, pa ‘’sikur’’, pa ‘’gëk’’, pa ‘’mëk’’ në veprimtarinë e tyre agresive kundër korrupsionit, krimit të organizuar po se po, është një ngjarje që bie ndesh shumë brutalisht me inercinë e tmerrshme të një historie 111 vjeçare. 111 vjet ajo histori i ka mësuar njerëzit brez pas brezi, përfshirë dhe shumëkënd prej jush këtu, për hir të së vërtetës të mendojnë se pushteti i vërtetë politik është ai që tërheq prej hunde pushtetin gjyqësor, pavarësisht se cfarë thotë Kushtetuta dhe ligji apo se cfarë thonë deputetët në Kuvend, qeveria dhe kryetari i saj në televizor, madje-madje, pas këtij mësimi të vjetër, ky i fundit fishkëllen penalltinë e shkeljes së ligjit dhe sipas interesit të skuadrës dhe të karriges së vet e gjuan vetë topin e drejtësisë, kur të dojë, si të dojë, brenda dhe jashtë portës ku jepet drejtësi, ndërsa populli, shtetit, qytetarit nuk ka problem sepse sipas një mësimi të vjetër të trashëguar në mendjen e njerëzve dhe të shumëkujt brez pas brezi, i takojnë vetëm fjalët e bukura për lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit, drejtësinë e pavarur e me radhë, bla-bla-bla. Shkurt muhabeti, bëni si themi ne, mos bëni si bëjmë ne.

Kështu mendojnë padyshim dhe ata që i fryjnë në vesh fqinjëve grekë nga larg e nga afër, qofshin politikanë me foltore dinjiteti apo me mikrofon minoriteti, analistë me sy të skuqur apo me laps të mprehtë, ekspertë ligjore me zërin në xhep apo pijanecë me atdheun në gotë dhe pa diskutim avokatë të deklaruar apo të padeklaruar të një të arrestuari në flagrancës për blerje votash, të cilit i kanë marrë nën administrim edhe faqen në Facebook, ku postojnë për hesap të tyre letrat e tij nga qelia; kjo është një risi më vetë, në fakt, në historinë e paraburgimit në Shqipëri dhe shkruajnë se ai ndjehet si thoi i një luani. Po ç’është e vërteta, këta shqipfolësit me të cilët ne ndajmë gjuhën dhe vendin, por jo mendjen dhe respektin për atdheun, janë të tërë në të drejtën e tyre, grekët po se po, por këta, që ta abuzojnë lirinë e shprehjes sa të kenë fuqi për të i kruar sytë ne të tjerëve, siç janë përpjekur të bëjnë përditë e përnatë qëkur, për fatkeqësinë e tyre të pangushëllueshme, ne jemi në qeveri.

Ndërkohë që, kush nuk është në të drejtën e vet ta mendojë luftën tonë për këtë drejtësi të porsalindur si zgjatjen e atij bishti të ndyrë të historisë shqiptare të kontrollit politik mbi drejtësinë, janë pikërisht ata ndër ju, këtu përpara, që e dinë shumë mirë ose të paktën duhet ta dinin shumë mirë, qysh nga minuta e parë e jetës së kësaj shumice qeverisëse nën udhëheqjen time se për mua dhe për ne, kjo, për drejtësinë e pavarur nga orekset e politikës është kryebeteja e Partisë Socialiste për Shqipërinë europiane.

Shqipëria europiane për mua nuk është një fjalë e bukur goje, por është ëndrra më e madhe me sy hapur që më zgjon në mëngjes më herët nga të gjithë ju, se kështu e do detyra, më mban në këmbë më gjatë se të gjithë ju dhe më detyron të fle vetëm pasi keni fjetur të gjithë ju këtu.

Nuk e di se sa prej jush këtu, por me siguri jo të gjithë mendojnë me gjithë mend dhe me gjithë zemër se ky vend bëhet dhe se këtë vend o e bën fuqia e Partisë Socialiste ose nuk e bën, siç nuk e ka bërë, por vetëm e ka zhbërë sipas fuqisë që ka pasur asnjë forcë tjetër e organizuar në këtë vend dhe çdo individ që Shqipërinë e sheh si jorgan për t’u djegur kur e pickon pleshti i interesit të vet.

Por, ajo që unë di me siguri absolute është se po të mos e besoja këtë që ky vend bëhet dhe po të mos e shikoja me sy hapur ëndrrën e Shqipërisë europiane, as do kisha hyrë në politikë, me ftesë të liderit historik të Partisë Socialiste, as do isha përpjekur fare t’i zija vendin e tij, as do mbaja mbi kurriz e mbi fytyrë thuajse 20 vjet më shumë baltë sesa të gjithë ju bashkë për të qëndruar në krye si lider i juaji dhe as do ta përballoja dot një ditë të vetme baltën e zezë të gojëve të palara prej 111 vjetësh, mbi të vdekurit e mbi të gjallët e familjes time dhe pastaj kurrë nuk do t’i kisha hyrë detit në këmbë bashkë me ju për të ecur kundër erës mbytëse të histories, duke këmbëngulur nxjerrjen matanë të një reforme të vërtetë në drejtësi, e cila të mos përfundonte në gojën e peshkaqenëve, peshkagurëve dhe peshkatarëve të ujërave të zeza të traditës së vjetër anti-drejtësi, siç kanë përfunduar të tëra, gjasme reformat e drejtësisë, në 100 vitet paraardhëse nga dita kur filloi kjo beteja jonë e madhe 10 vjecare për këtë reformë që vazhdon.

Nuk është se kanë dhe aq faj, në fakt, dhe këtë e them sinqerisht, ata që ma vënë mikrofonin  përpara dhe më pyesin “Po mirë, ky, ai bashkëpunëtor të tutë, përgjegjësia individuale dakord. Po zotrote, nuk ke ndonjë përgjegjësi të paktën morale në këtë mes?” Nuk kanë faj, prandaj ju lutem ma dëgjoni shumë mirë këtë, ju dhe gjithë socialistët që fatmirësisht janë shumë pak që e qarkullojnë atë fjalën e neveritshme “Rama të lëshon, Rama nuk të mbron”. Unë kam një përgjegjësi të madhe morale sigurisht, më të madhen fare nga të gjithë ju pa diskutim por a dini se cila është kjo? Përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem, as të kërkoj ndjesë apo aq më pak të sprapsem pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave të përbashkëta, e mbështes pa kursim për punën e përbashkët në këtë front, sepse vetëm së bashku mund ta ngjisim Shqipërinë në atë majën ku e meritojnë fëmijët e të gjithë shqiptarëve, i merr mendjen pushteti e paraja dhe tradhton, jo thjeshtë besimin tim e tuajin, por vetë flamurin e gjithë stërgjyshërve dhe të gjitha bebeve të këtij vendi, bashkë me flamurin e të gjithë socialistëve shqiptarë, të cilin pastaj, sipas atij mendimi të mbrapshtë, mësimit të mbrapshtë të historisë të pushtetit politik që qarkullon në atë formën “Rama të lëshon, Rama nuk të mbron”, pasi njëri e ka përdorur flamurin e Partisë Socialiste si maskë për të vjedhur, ne të tjerët u  dashka ta përdorim edhe si letër higjienike për t’ia fshirë bajgat e korrupsionit nga fytyra me dorën e partisë? Jo, jo dhe jo. Përgjegjësia ime morale është që të mos le dy gurë bashkë, brenda kësaj familjeje politike edhe jashtë saj që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë, pavarësinë dhe fuqinë që i duhet për ta ndëshkuar pavarësisht nga ngjyra apo nga madhësia çdo lloj këlyshi të atij soji të vjetër dhe të ulët politik që e ka mbajtur drejtësinë e këtij vendi si qen të lidhur me zinxhirin e pushtetit të politikës për plot 100 e kusur vjet me radhë, përgjatë të cilave, kurrë, asnjëherë krimet dhe marifetet e dikujt të veshur me atë pushtet nuk janë ndëshkuar dot as ligjërisht, as drejtësisht, as paanësisht.

Kështu që unë jo që s’kam asnjë ndjenjë tjetër, përveç neverisë kur dëgjoj “jo po s’e mbrojti, jo po e lëshon’’ këdo që më ka ‘’ngrënë‘’mua pas shpine, që ka ‘’ngrënë’’ pas shpine këtë parti , që ka ‘’ngrënë’’pas shpine një popull të tërë, që na ka dhënë votën juve dhe mua, jo që s’më shkon mendja të mbaj dhe baltën e kujtdo mes nesh, që fjalët e mia të stëpërsëritura 100 herë publikisht, 1000 herë mes nesh në mbledhje sa në parti e sa në qeveri, apo nëpër takime kokë më kokë, i di akoma si ato fjalimet hipokrite në parlament të atyre gjakderdhësve, keqbërësve apo komedianëve që i njeh mirë një popull i tërë, të cilët klithin si Sokratë të përvuajtur në emër të popullit gjithë ditën  dhe natën gërrhasin si derra të kënaqur me paratë e djersës së këtij populli, jo që s’më vjen të ndalem, qoftë edhe një ditë në këtë rrugë pa kthim, po si çdo njeriu që ecën më këmbët e veta dhe që jeton me punën dhe për punën e vet dhe jo për paratë dhe me paratë e djersës së vjedhur nga të tjerët, t’ju them të drejtën më vjen mirë, vetëm mirë.

Aq mirë sa nuk i vë dot faj që askujt që edhe mbase nuk e imagjinon dot kur dhe nëse organet e reja të drejtësisë e fshijnë nga rruga jonë e përbashkët cilindo që ka punuar me mua bashkë me ju, duke kënduar për popullin dhe për partinë në televizor dhe nëpër takimet me njerëzit, e duke vjedhur pas shpinës sime djersën e njerëzve hipur kalapiç mbi supet e partisë.

Jua kam thënë dhe po ua përsëris; unë ua kam dhe do t’jua njoh gjithë jetën të gjithëve ju, borxhin për mbështetjen që më keni dhënë e vazhdoni të më jepni për të kryer me sukses punën tonë për qëllimin e  përbashkët dhe të shpallur botërisht. Ky është një borxh që s’e harroj asnjëherë, të jeni të sigurtë dhe që përpiqem me të gjitha forcat e mia që tua kthej çdo ditë pa pushim, duke dhënë gjithçka që mundem, që kam shpirtërisht, fizikisht, mendërisht për t’ua mbajtur kokën lart, qoftë brenda vendit, ku ju kam udhëhequr në 8 ftore nga 9  beteja zgjedhore, qoftë jashtë vendit ku ju përfaqësoj me dinjitetin e flamurit tonë kuq e zi, por edhe me dinjitetin e flamurit të purpurt të PS dhe borxhi im ndaj jush, është t’ua jap të plotë të gjithë besimin tim.

Duke iu mbështetur me gjithë fuqinë time që të bëni sa më mirë detyrën tuaj e duke i dalë për zot me gjithë zërin tim planeve, vendimeve, projekteve tona të përbashkëta që askush të mos ndjehet kurrë vetëm kur e sulmojnë padrejtësisht për punën që bën për qëllimet tona. Borxhi im ndaj kësaj partie dhe njerëzve që na besojnë e na mbështesin, është të mos ju vë kurrë juve në pozitë të vështirë, duke iu kërkuar gjëra të paligjshme apo duke iu urdhëruar të bëni gjëra për të cilat s’jeni të bindur.

Unë kam debatuar me ju, ndonjë rast edhe me muaj kur ka qenë fjala për vendime të vështira për qëllime të përbashkëta dhe jo gjithmonë siç e dinë ata që kanë punuar më afër me mua, ka dalë e imja, por ka dalë edhe e juaja, gjë për të cilën i vlerësoj njerëzit më shumë, jo më pak.

Ju e dini më mirë se kushdo që autokratin e atyre përfytyrimeve mediatike nuk e keni njohur madje edhe qeshni kur dëgjoni analistët sydalë edhe buzëhollë që jetojnë për t’i rënë fyellit në atë vrimën e zezë të fyellit autokratik imagjinar, sepse tek unë keni gjetur dhe gjeni gjithmonë një njeri me veshë të hapur, patjetër një njeri të vështirë në debat po për të fituar argumentin, jo për të imponuar fiksimin e vet me sy mbyllur.

Ashtu sikundër, e dinë shumë mirë të gjithë ata që kanë punuar në qeveri me mua se sa herë  e kanë dëgjuar prej meje, që unë ju jap besimin të ulen në atë karrige, por secili duhet të më japë mua, duhet t’i japë këtij vendi, kësaj partie me punën e përditshme, arsyet për të qëndruar aty ky është ulur dhe s’ka bërë vaki asnjëherë që t’i ndërhyj në ushtrimin e funksioneve as për qëllime të tjera e as për të ngatërruar interesat e shtetit me interesa të tjera, as për të mbajtur në punë njerëz të papërshtatshëm në emër të partisë apo të krushqisë, e madje as për të futur në punë dikë duke i ngrënë hakun dikujt tjetër.

Përkundrazi. Sa herë që dikush thotë epo se ky është socialist, është djali i filanit, është vajza e filanit, ju them “po, është vajza dhe djali i dikujt që  e njihni, po i njihni ju të gjithë ata thuajse 1 milionë njerëz që na votojnë ne?’’

Sa nga ata nuk njihni? Dhe vajzat dhe djemtë e tyre pse duhet të jenë në disavantazh ndaj vajzës së filanit apo djalit të filanit? Kam kuptuar se fatkeqësisht disa nga ju kujtojnë se unë flas për Shqipërinë europiane, për shtetin dinjitoz shpiptar, për drejtësinë e barabartë, për shqiptarët e këto me radhë sa të duash për konsum publik dhe jo sepse jetoj me ato që them, punoj për ato që them dhe luftoj për të bërë atë që them. Po këtu është keqkuptim i madh, unë s’e ndryshoj dot përderisa nuk e kam ndryshuar dot deri sot, por ama harrojeni, nuk ka asnjë shans që unë t’i njoh ndonjë borxh cilitdo në këtë familje politike që hyn në borxh me drejtësinë, që për mua do të thotë në fakt të hysh në borxh me popullin, me shtetin, me vetë Shqipërinë. Nuk ka rëndësi sa i madh është borxhi. Hyn në një borxh që nuk të takon fare ta marrësh, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën.

Kështu që, nuk ka shans sa të jem unë këtu, kjo qeveri e kjo parti ta pengojnë SPAK-un apo gjykatën speciale që ta bëjnë luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organzuar po se po, po unë pres që dhe Shërbimi Informativ Kombëtar t’i bashkohet thellësisht kësaj lufte, duke u tranformuar me focën e së drejtës që i jep detyra, të së vërtetës dhe të profesionalizmit që kërkon misioni nga një dispeçeri kombëtare thashethemesh me shkrim  ku duhet të lexosh 1000 faqe për të gjetur një fletë me informacion kuptimplotë për keqbërësit brenda zyrave të shtetit apo rreth institucioenve të shtetit, në një tjetër krah të domosdoshëm, ë fuqishëm të organeve të reja drejtësisë, bashkë me policinë e shtetit për të bërë sa më rezultative këtë fazë të re të luftës kundër korrupsionit, pa diskutim edhe krimit të organizuar se këtë as nuk e diskutoj fare.

Organet e reja të drejtësisë as nuk kanë rënë nga qielli as nuk kanë ardhur me aeroplan nga Uashington apo nga Brukseli dhe as nuk do kishin lindur, nëse ne,Partia Socialiste e Shqipërisë nuk do i kishim sjellë ato në jetë. Kush parafytyron diçka tjetër, ia fut kot. Pa vizionin, ambicien, vetëdijen, vullnetin, këmbënguljen e kësaj fuqie nuk do kishte amerikan e europian që do mund ta impononte të sjellë me pako reformën në drejtësi në këtë vend. Dhe nuk e kemi bërë për veten, e kemi bërë për Shqipërinë. Nuk e kemi bërë për të bërë shkrumb e hi kundërshtarët politikë dhe për të fërkuar duart ne, në zjarrin e drejtësisë, duke shijuar gështenjat e korrupsionit. Po e kemi bërë për të farkëtuar pavarësisht plagëve dhe dhimbjeve në vet trupin e organizmit tonë politik, pushtetin e munguar qysh nga lindja e shtetit shqiptar dhe që nuk zëvendësohet dot me asnjë gjë tjetër, në një shtet që mbron me të vërtetë liritë dhe të drejtat e njeriut, i cili quhet pushteti i pavarur gjyqësor.

Të jeni të bindur që e di dhe unë se këto organet e reja janë larg së qenit të pagabueshme dhe të paqortueshme në veprimtarinë e tyre. Por siç vlen për ne, kur nxjerrim në dritë një punë të mirë për njerëzit, – për shembull impiantet e reja të mbetjeve apo sterilizimin e materialeve mjekësore dhe në ndërkohë SPAK nxjerr bishtat e neveritshëm të abuzimeve të njërit apo të tjetrit gjatë kryerjes së atyre punëve të mira, – ashtu ndodh edhe me organet e reja të drejtësisë, të cilat në përpjekjen e tyre të paparë kurrë më parë në këtë vend, për të ndarë me drejtësi dhe paanshmëri të njomin nga i thati edhe nën presionin e madh të publikut dhe të nevojës së tyre për tua dhënë shqiptareve drejtësinë që e presin prej 100 e kusur vitesh, në ndonjë rast edhe për shkak të vetë nxjerrjes së fuqisë së re dhe për herë të parë të pa kontrolluar që kanë marrë, nuk ka sesi të mos bëjnë mes gjithë atij llumi që kanë për detyrë të pastrojmë, edhe vlerësime që mund të lënë shumë për të dëshiruar.

Patjetër që kjo pjesë s’mund të na lërë shije të mire, por ama nëse detyra e organeve të reja të drejtësisë është të bëjnë operacione kirurgjikale për të shkulur tumoret e korrupsionit nga politika pa ia lejuar dhe vetes në asnjë edhe një operacion të vetëm përdorimin e gërshërëve të rrobaqepësit apo thikës së kasapit për llogaritje statistikore, të cilat lidhen me jetë dhe dinjitete njerëzore familjare, unë dua t’ju them këtu se cila është detyra jonë se kjo është detyra e tyre.

Detyra jonë nuk është detyra e tyre dhe detyra e tyre nuk është detyra jonë.

SPAK apo gjykata speciale mund edhe të gabojë në ndonjë rast, por atyre iu falet ndërsa ne nuk mundet, nuk duhet dhe sa të jem unë këtu nuk do ta bëjmë gabimin që t’i tregojmë organeve të reja të drejtësisë se çfarë duhet të bëjnë. Kjo është absolutisht e pafalshme. Nëse gabimet e tyre janë gabimet e rritjes së një pushteti të ri dhe vërtet të pavarur, i cili sapo ka nisur të ekzistojë, gabimi ynë i marrjes së rolit të atij që i di më mirë punë e drejtësisë do të ishte, jo thjeshtë një gabim i vjetër, por vetë faji i madh dhe i pa amnistueshëm. Mëkat i tmerrshëm 100 e kusur vjeçar i pushtetit të radhës në historinë e shtetit shqiptar ku kemi patur disa lloj regjimesh e nuk di duzina e duzina qeverish, por nuk e kemi patur kurrë një drejtësi që nuk i ul sytë përballë fajtorëve të pushtetshëm, por kemi patur vetëm organe kafshimi dhe përdhunimi, për llogari të pushtetit politik të radhës apo për epshet politike dhe materiale të kafshuesve të veshur me pushtetin e ligjit. Prokuroret e gjykatës krenarisht të egër me armiqtë e partisë në pushtet e me fajtorët  e vegjël pa pushtet fare, por menderesisht të përulur përpara pushtetit të radhës dhe abuzuesve të mëdhenj me karrigen e pushtetit të radhës. Gjindje pa fe. Gjindje pa atdhe. Dhe dhëembët si sharrë për hajdutet e xhepave dhe për përdoruesit e dy gramëve marijuanë dhe pantallonat e vaditura nga frika e pushtetit, me xhepat e fryrë nga lëmosha e stremave të trafikantëve dhe të vrasësve.

Nëse ne do bënim këtë faj, ri rënien në mëkatin e tmerrshme historik të futjes së kthetrave në fytin e organeve të reja të drejtësisë, ne do ta asgjësonim krijesën qe e lindi besnikëria ndaj vizionit të Shqipërisë europiane. Ambicia për të krijuar një shtet shqiptar të së drejtës me çdo çmim, dëshira për të ndërtuar një shtëpi të re për fëmijët e gjithë Shqipërisë, një shtëpi krenarie, një shtëpi ku rregulli të jetë i barabartë dhe ku e drejta të jetë njësoj si për fëmijët e X si për fëmijët e askushit. Me një fjali të vetme të diskutosh këtë do të thotë të diskutosh nëse duhet ta varrosim apo s’duhet ta varrosim me duart tona këtë parti Socialiste të Shqipërisë, tek e cila është investuar prej 10 vitesh besimi i shqiptarëve se këta mund t’i japin Shqipërisë fuqinë e munguar historikisht të drejtësisë. Ky vend për t’u bërë më në fund shteti dinjitoz i së drejtës  që s’u bë kurrë pikërisht se u ngatërruan qëllimet e shpallura e të përbashkëta me ato të pathënat e të përveçmet, nga pikërisht ata që folën 100 e kusur vite për drejtësi dhe 100 e kusur vite e kthyen shtetin në top për interesa të tyre, duke bërë që të sundojë padrejtësia. Ndërsa populli në mish për topin e tyre , patjetër që nuk bëhet sa hap e mbyll sytë, patjetër që nuk mjaftojnë 10 vjet.

Patjetër që nuk mjaftojnë as 5 apo 10 të tjera, duhen më shumë, por patjetër kjo parti duhet ta kalojë me se s’bën, gjallë apo vdekur, në këmbë apo përtokë këtë sprovë zjarri për drejtësinë.

Ndërsa kjo parti duhet të hidhet në zjarr për suksesin me çdo çmim të kësaj sprove, jo për të shpëtuar nga zjarri tanët që duhet të përballen me drejtësinë,se ata mund të jenë tuajit, të mitë nuk janë, ose gjithë atyre që thonë janë tanët, si tanët? Kujt tanët? Tanët, të kujt? Po duhet të hidhet në zjarr kjo parti për ta ngrohur me këtë zjarr një vatër të sapondezur drejtësie dhe një vatër të sapondezur të një Shqipërie shtet demokratik i të drejtës dhe këtu kaq. Pikë. Mjaft. E mbrojti, s’e mbrojti. E mbrojtën, s’e mbrojtën. SPAK-u kështu, ai gjykatësi ashtu, “se kjo kështu”, “se ajo ashtu”.

Lëreni SPAK-un të bëjë punën e vet dhe bëni punën tuaj. Falenderojeni këtë popull dhe këtë parti çdo mëngjes. Sapo hapni sytë për privilegjin e të qenit mes një rrethi kaq të vogël të zgjedhurish të këtij populli e kësaj partie dhe sa herë përpara se të mbyllni sytë, mendoni  se ç’keni bërë, përpiquni që të ndiheni pak keq kur s’keni bërë asgjë për këtë popul dhe për këtë parti. Se s’po them kur keni bërë dhe ndonjë gjë që s’duhet ta bëni dhe kur e shikoni këtë grushtin këtu, mos e shikoni si vazo me një trëndafil që të zbukurojë sallën, por mendoni pak për të gjithë ata dhe ato që dhanë jetën në luftë, e dhanë jetën realisht me fjalë dhe me vepra, fizikisht, jo siç jepet jeta në foltoren e parlamentit dhe për çfarë e dhanë jetën? Për një Shqipëri të drejtë pra. Mendoni pak për ata që punuan një jetë të tërë dhe ikën nga kjo botë pa marrë asgjë përveç zhgënjimit nga një vend i padrejtë, të cilit i dhanë gjithë djersën e tyre, mendoni dhe per ata që e krijuan këtë familje politike, për Shqipërinë europiane. Bënë sa mundën, u bënë sa deshën dhe na i lanë ne këtu radhën të bëjmë të pamundurën që kur tua lëmë radhën të tjerëve, Shqipëria të jetë në një majë të re dhe nga aty, ta marrin ta çojnë në një tjetër majë. Por kur ne ta lëmë në atë majën e re, Shqipëria të jetë pa kthim kurrë më të mundur në atë kënetën dhe në zullumin e lëngimit të pafundëm, 100 e kusur vjeçar.

Dhe këtu besoj se shpreha 100 % në këtë rast se në gjitha rastet e mëparshme e di që dakordësisa s’është 100% edhe dëshirën tuaj për t’i uruar me gjithë zemër në emër të të gjithëve ju, nga ky oxhak i familjes së tij politike, kryetarit tonë Fatos Nano që ta rifitojë lirinë fizike dhe shpirtërore dhe të dalë me shëndet, me humor dhe me jetë të gjatë edhe nga burgu i terapisë intensive, siç doli 26 vjet më parë nga burgu politik ku e futi egërsia e pandëshkuar kriminale e njërit prej pengmarrësve më të paskrupujt të drejtësisë në historinë e shtetit shqiptar.

Bëjeni pra punën tuaj me ndershmëri, me profesionalizëm, me përkushtim.

Mos ia bëni me hile njerëzve.

Mos kini frikë nga gabimet e bëra duke punuar drejt dhe pastër, as nga vendimet e marra me drejtësi dhe pastërti për të mirën e vendit, për të mirën e komunitetit. Mos bëni faje nga ato me të cilat merret drejtësia edhe sikur të jeni të bindur që asnjëherë nuk do të merren vesh. Mos bini në kurthin e pasurimit me djersën e të tjerëve. Është haram që nuk bëhet kurrë hallall dhe pasardhësit nuk e kanë borxh që t’i shohin haramit, sherrin.

Mos i harroni dhe amanetet e të parëve.

Kujtohuni për fjalët e gjysheve, për porositë e prindërve kur i dëgjonim nga halli dhe jeni komplet në rregull me SPAK-un, me gjykatën speciale, me drejtësinë dhe me të gjitha ‘’tërli-vërlit’’ me të cilat jo ju të gjithë fatmirësisht, po disa prej jush rrokoanisin kokën e të tjerëve.

Kemi kaq shumë punë për të bërë dhe na duhet aq shumë angazhim në çdo drejtim, aq shumë fokus te sfidat e vendit e Partinë Socialiste në këtë udhëkryq strategjik të rrugës sonë 2030. Prandaj duhet të përqendrohemi dhe të bashkëveprojmë shumë më tepër në çdo nivel, se kjo e historive të zullumqarëve është vetëm një pjesë dhe fatmirësisht jo pjesa më e madhe e problemit, po është dhe historia e shpejtësisë, historia e aftësisë, historia e gjithë energjisë që duhet vënë në dispozicion, çdo nivel për të thelluar reformën, për të përmirësuar qeverisjen, qeverisjen qendrore dhe qeverisjen vendore, për të fuqizuar dhe për të zgjeruar komunitetin tonë politik, përtej partisë sepse 1000 herë e kemi përsëritur, partia jonë është më pak se 100 mijë veta, votuesit tanë po i afrohen 1 milionëve dhe ne duhet ta shohim këtë bashkësi votuesish si komunitetin tonë, jo thjesht si radhën e dytë më shumë numra të mbështetjes për ne. Dhe jetojmë në një kohë shumë të ngarkuar. Europa nuk është në luftë vetë, por është e përkushtuar me gjithësej, me të gjitha problematikat që ky gjithësej i kërkon të përballesh që në luftën e Ukrainës të triumfojë e drejta ndërkombëtare, jo padrejtësia e një agresioni brutal ndaj territorit të një shteti sovran.

BE-ja është në një fazë të ndërlikuar, plot me oportunitete të reja, por edhe me rreziqe jo të vogla dhe këtu më e rëndësishmja për ne është se BE-ja është në një proces reflektimi pozitiv ndaj rajonit tonë, për të cilin ne e kemi luajtur, po e luajmë dhe do e luajmë rolin tonë shumë aktiv.

Rajoni është në një udhëkryq të ri me dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër qorrsokak, me situatën, jo të qëndrueshme në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që është në një situatë dramatike mes domosdoshmërisë strategjike që të kalojë sprovën e ndryshimeve kushtetuese në funksion që të vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe populizmit taktik që kërcënon me verbëri pikërisht ecurinë europiane të shtetit fqinj.

Bosnje dhe Hercegovina dihet se në çfarë kompleksiteti të rrezikshëm gdhihet dhe ngryset çdo ditë.

Shqipëria është sot në pozicionin e vet më të mirë ndonjëherë, në Europë dhe në rajon, por duhet të vazhdojë me ritme të reja, të fuqizohet së brendshmi, duke hedhur hapa të tjerë, hapa të mëdhenj përpara, me një sens shumë më të fortë krenarie kombëtare në përballimin e sfidave të reja të zhvillimit, me një vetëdije më të madhe kolektive për ndryshimet jo të lehta që duhen bërë sot, në disa drejtime. Në arsim, nuk mund të vazhdojmë ta lemë situatën në këtë disbalancë totale mes kërkesave që ka kjo ekonomi dhe ky treg dhe inercisë “të gjithë nëpër gjimnaze”, sistemin e fiancimit të ekonomisë, politikat sociale e me radhë, të mos i përmend të gjitha të tjerat, por me fokus shumë më të madh në objektivat jetike afatmesme.

Shqipëria 2030 duhet të jetë obsesion në mendjen dhe në veprimin e kësaj partie.

Nuk kemi ne punë fare me të tjerët, me të tjerët nuk flas për njerëzit, por flas për të tjerët në këtë arenën ku ne nuk kemi kundërshtarë. Asnjë punë.

Nga ana tjetër, jemi shumë të ekspozuar ndaj rrezikut që të na duket se jemi mirë. Jo nuk jemi mirë. Ne të parët duhet të kuptojmë këtë; ne mund të themi “Mirë” dhe mund të ulemi për të lënë stafetën kur të arrijmë majën e Shqipërisë 2030, vetëm atëherë. Deri atëherë, për ne nuk ka mirë, për ne ka vetëm edhe më mirë, edhe më mirë, edhe më mirë.

Duhet të kemi gatishmëri shumë më të lartë, ne sot për ta përshpejtuar integrimin e teknologjisë digjitale në funksionimin e gjithë shtetit shqiptar. Kemi bërë gjëra shumë të rëndësishme, por bota…Teknologjia digjitale është bekimi më i madh që koha i ka dhënë vendeve në zhvillim si ne, se na jep mundësira të paimagjinueshme për t’i shkurtuar brenda një kohe shumë më të shkurtër, në shumë drejtime, distancat me botën e vendeve të zhvilluara se na ofron mundësinë të kapërcejmë, përmes progresit eksponencial, që deri dje ishte linear nëse do të prodhonte Gjermania një tip të ri makine shkrimi, kur të vinte radha që makina e shkrimit të vinte në Shqipëri do duhen më parë të furnizohej gjithë dynjaja atje, sa për ta sjellë një shembull.

Sot ato janë aty të gjitha. Për kë i kap e për kë i bën? Ne nuk pyesim fare sa i zhvilluar je apo sa i pazhvilluar je. I kape, i bëre, kapërceve.

Ne sot kemi mundësi që, jo vetëm ta dëshirojmë apo thjesht ta parafytyrojmë, sa mirë do ishte ta bënim, por ta bëjmë realisht, ta bëjmë brenda, pse jo, brenda këtij mandati kalimin e një sistem prokurimesh komplet teknologjik përmes Inteligjencës Artificiale, që i bën të panevojshëm të gjithë komisionet e tenderave, me këtë rast do kemi dhe më pak kandidatë për t’u futur në komisione se nuk do ketë komisione fare e më këtë rast do kemi edhe më pak që do shkojnë e do përfundojnë në SPAK-ra nga injoranca se e dimë shumë mirë që, një pjesë e atyre as nuk e dinë fare se për çfarë kanë firmosur, por do t’i kursejmë shtetit kushedi sesa fonde dhe kushedi sesa kohë dhe do ta zhbëjmë komplet korrupsionin në prokurime siç bën drita errësirë dhe kjo është diçka që nuk është fanta-shkencë, por është njëri nga projektet që e kemi nisur dhe nuk e kemi nisur brenda nesh se kemi parë në televizor apo në Youtube, por e kemi nisur me skuadrën e platformës OpenEye, nga kompania e Microsoft që punon ngushtësisht me AKSHI-n dhe me institucionet e përfshira në këto projekte.

Mundësitë dhe sfidat janë të jashtëzakonshme në çdo drejtim dhe për t’i adresuar siç duhet, na duhet në radhë të parë ta kuptojmë se për çfarë jemi këtu, për të bërë llogaritë e turistëve dhe për t’u ulur të kënaqur, sa mirë apo për të bërë një kapërcim epokal duke shfrytëzuar edhe teknologjinë?

Na duhet një diskutim gjithëpërfshirës, shterues, mobilizues prandaj dhe unë propozoj, si fillim, Asamblesë thirrjen në fillim të tetorit të Kongresit të Jashtëzakonshëm, ku qeveria nga njëra anë dhe një ndryshim i ri ekzekutiv i partisë të paraqesin platformat e tyre të veprimit pastaj gjërat shtrohen në një diskutim dhe të vihen në zbatim në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të partisë.

Tani, me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm në detyre, Blendi Klosi dhe pas një diskutimi që kemi zhvilluar së bashku, unë ju kërkoj të miratoni strukturën dhe përbërjen e re të Sekretariatit të ri Ekzekutiv të Partisë, i cili do duhet t’i nënshtrohet votëbesimit të Asamblesë në Kongres, pra do ta votojë Asambleja në Kongres, jo sot, këtu që të mos bëjmë diçka formale, por ta bëjmë pasi të prezantohet platforma nga Sekretari i Përgjithshëm.

Sekretar i Organizimit Ardian Çela,

Sekretar i Burimeve Njerëzore Eduard Ndreca,

Sekretar Digjital dhe i Rinisë Etjen Xhafaj,

Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë Romina Kuko,

Sekretar i Çështjeve Zgjedhore Erdian Salianji,

Sekretare e Programit Milva Ekonomi.

Njëkohësisht ju bëj me dije dhe ndryshimet që do t’i përcjell Presidentit të Republikës për kabinetin e ri qeveritar;

Ministër i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete,

Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani,

Ministre Arsimi dhe Sporti Ogerta Manastirliu,

Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj,

Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Albana Koçiu,

Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj

dhe në fund, por jo për nga rëndësia, duke marrë parasysh se puna e bërë për standardet e shërbimeve është futur në një shtrat dhe nga ana tjetër ne na ka dalë qartësisht në pah, qoftë me zgjedhjet e fundit vendore dhe me sfidat e mëdha të pushtetit vendor në këtë fazë të re të zhvillimit, qoftë me sa fola më parë, nevoja për një koordinim në kohë reale mes qeverisë qëndrore dhe asaj vendore, nuk do kemi më një ministër për standardet e shërbimeve, do kemi një Ministër Shteti për Pushtetin Vendor dhe këtë funksion të ri në qeveri do ta mbulojë Arbian Mazniku.

*Fjala e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste